
GABORONE- Presidenti i Botsvanës ka kërcënuar se do të dërgojë 20,000 elefantë në Gjermani. Në fillim të këtij viti, ministria gjermane e mjedisit ngriti mundësinë e kufizimeve më të rrepta për importin e "trofeve" të gjuetisë. Por ky kufizim vetëm sa do të varfëronte botsvanezët. Të paktën kështu pretendon presidenti Mokgweetsi Masisi.
Sipas mediave të huaja, udhëheqësi afrikan tha se ky ndalim ka shtuar numrin e elefantëve dhe se gjuetia është një mjet i rëndësishëm për t'i mbajtur nën kontroll. Tufat e elefantëve tani po shkaktojnë dëme në prona, u konsumojnë të mbjellat, por edhe po vrasin banorët e zonës duke i shkelur.
“Është shumë e lehtë të ulesh në Berlin dhe të kesh një mendim për punët tona në Botsvana. Ne po paguajmë çmimin për ruajtjen e këtyre kafshëve. Kjo nuk është një shaka,"- tha Masisi, vendi i të cilit tani shënon 130 mijë elefantë.
Si zgjidhje, Botsvana, shtëpia e popullsisë më të madhe të elefantëve në botë, ka "eksportuar" tashmë 8,000 elefantë në Angolë dhe 500 të tjerë në Mozambik, pasi ka mbipopullim. Në mars ata kërcënuan gjithashtu se do të dërgojnë 10,000 elefantë në Londër .
"Ne do të donim t'i ofronim një dhuratë të tillë Gjermanisë dhe nuk marrim "jo" si përgjigje,"- tha Masisi.
Një zëdhënës i ministrisë së mjedisit në Berlin tha se Botsvana nuk kishte ngritur asnjë shqetësim me Gjermaninë për këtë çështje.
Gjermania ishte një nga importuesit më të mëdhenj të trofeve të gjuetisë në Bashkimin Evropian, por tashmë trofetë e gjuetisë kërkojnë autorizim importi sipas rregullave të BE-së./ZËRI