Bota

Britania e Madhe miraton projektligjin për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë, Sunak: Sukses!

Pas vendimit, kryeministri Rishi Sunak përshëndeti kalimin e projektligjit, duke u zotuar se do të fokusohet në nisjen e fluturimeve brenda disa javësh.

k.m.
Britania e Madhe miraton projektligjin për dërgimin e
Rishi Sunak

BRITANI E MADHE- Projektligji i Britanisë për të nisur fluturimet për në Ruandë më në fund kaloi në Parlament mbrëmë. Ai u miratua, por ende nuk është kthyer në ligj, pasi pritet të marrë edhe pëlqimin Mbretëror. Pas vendimit, kryeministri Rishi Sunak përshëndeti kalimin e projektligjit, duke u zotuar se do të fokusohet në nisjen e fluturimeve brenda disa javësh.

Në një paralajmërim për deputetët laburistë dhe grupet e të drejtave të njeriut të vendosura për të sfumuar skemën, kryeministri u zotua se: Asgjë nuk do të na pengojë për të ndalur gomonet! Miratimi i këtij legjislacioni historik nuk është vetëm një hap përpara, por një ndryshim thelbësor në ekuacionin global të emigracionit. Ne prezantuam projektligjin e Ruandës për të penguar kalimin e paligjshëm të emigrantëve të pambrojtur që shfrytëzohen nga bandat kriminale. Miratimi i këtij legjislacioni e bën shumë të qartë se nëse vini ilegalisht, nuk do të mund të qëndroni. Asgjë nuk do të na pengojë që të shpëtojmë jetë.

Ndërkohë Sekretari i Brendshëm, James Cleverly, tha se ky ishte një moment historik në planin tonë për të ndaluar gomonet. Në një video të postuar në mediat sociale, ai tha: Projektligji për sigurinë e Ruandës ka kaluar në parlament dhe ai do të bëhet ligj brenda disa ditësh. Ai do të parandalojë njerëzit që të abuzojnë me ligjin duke përdorur pretendime të rreme. 

Një reagim ka ardhur edhe nga ambasada britanike në Shqipëri. 

"Projektligji për Sigurinë e Ruandës kaloi në Parlament dhe do të shndërrohet në ligj. Ky projektligj historik do të parandalojë përdorimin e hapësirave ligjore për të vonuar largimin e azilkërkuesve në Ruandë."

Zëdhënësja e qeverisë së Ruandës, Yolande Makolo tha se vendi i saj ishte "i kënaqur" me miratimin e projektligjit. Ajo shtoi se Kigali ka kaluar 30 vjet duke punuar shumë që ta kthejë Ruandën në një vend të sigurtë për ruandezët dhe jo vetëm.

Çfarë do të thotë miratimi i projektligjit?

Miratimi i projektligjit të Ruandës pas muajsh vonese do të konsiderohet nga Rishi Sunak dhe ministrat e tij si një fitore e madhe. Në sfondin e një operacioni të madh dhe të suksesshëm të laburistëve për të ndaluar ligjin e ri, kryeministri ishte në gjendje të bashkonte partinë e tij të përçarë për ta arritur qëllimin e tij. Por ka ende një rrugë të gjatë para se projektligji të arrijë qëllimin e tij kryesor - ndalimin e gomoneve. Po ashtu, mbetet gjithashtu për t'u parë se sa emigrantë të paligjshëm do të mund të deportohen. Nëse dëbimet do bëhen vetëm për dhjetra njerëz, ndërkohë që mijëra shkojnë me varka të vogla, do të jetë e vështirë që skema të etiketohet si një sukses i menjëhershëm. Më pas, shtrohet pyetja se sa efektive do të jenë fluturimet drejt Ruandës, për të penguar emigrantët e tjerë që të provojnë fatin e tyre dhe të kalojnë kanalin.

Vetëm disa muaj kanë mbetur përpara zgjedhjeve të përgjithshme- që përkthehet në shumë pak kohë që të shfaqen rezultatet nga kjo skemë që kundërshtohet edhe nga Gjykata për të Drejtat e Njeriut./ZËRI

Poll

MOS HUMB