
SHBA- Një dyshe burrë e grua, pasuria e të cilëve ka lidhje me investimet e inteligjencës artificiale dhe tregtimin e kriptomonedhave, po shfaqen në heshtje si disa nga mbështetësit më të mëdhenj të grupit kryesor të parave për presidentin Joe Biden. Donacioni i dytë më i madh në vitin 2022 për Biden erdhi nga një grup i drejtuar nga James McClave dhe Emily Berger. Çifti punon në Jane Street, një firmë tregtare në Manhattan dhe McClave ishte një investitor i hershëm në kompaninë e AI Anthropic.
Të dhënat tatimore të shqyrtuara nga CNN, të cilat nuk janë raportuar më parë, tregojnë se BEMC 4 Association - një organizatë jofitimprurëse, dy drejtuesit e vetëm të së cilës janë McClave dhe Berger - i dha 7.2 milionë dollarë 'Future Forward USA Action' në 2022. Kjo shumë është më e madhe se çdo grup tjetër përveç Qendrës së Politikave të Shoqërisë së Hapur, e lidhur me George Soros, e cila dha 15.2 milionë dollarë atë vit. CNN analizoi të dhënat e dosjeve tatimore të lëshuara nga IRS për të zbuluar disa prej tyre. Edhe pse demokratët si Biden kanë kritikuar ndikimin e parave të errëta, ata janë gjithashtu përfituesit kryesorë të sistemit.
Të dhënat tatimore nuk konfirmojnë nëse 7.2 milionë dollarë janë nga McClave dhe Berger personalisht, apo donatorë të tjerë të grupit që ata kontrollojnë. Por donacionet e vetme që BEMC raportoi se kishte marrë ishin në formën e interesit në një kompani apo partneritet financiar. Dhe nuk është e pazakontë që donatorët e mëdhenj të krijojnë organizata të reja jofitimprurëse për të shpërndarë paratë e tyre.
Ndërsa McClave dhe Berger nuk kanë profil publik, ata kanë rritur në heshtje shpenzimet e tyre politike. Çifti ka dhënë më shumë se 1 milion dollarë në total gjatë viteve të fundit për një shumëllojshmëri të gjerë grupesh të tjera të Partisë Demokratike dhe kandidatëve në zgjedhjet federale dhe shtetërore. CNN provoi t'i kontaktonte, por çifti nuk pranoi të komentonte rastin duke u përgjigjur përmes një zëdhënësi.
Vetë Biden ka kritikuar ndikimin e parave të errëta dhe ka mbështetur legjislacionin që do t'u kërkonte organizatave që shpenzojnë para për zgjedhjet të zbulojnë më shpejt donatorët e mëdhenj.
“Ka shumë – shumë para që rrjedhin në hije për të ndikuar në zgjedhjet tona”,- deklaroi Biden në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2022, duke shtuar se “paratë e errëta gërryejnë besimin e publikut”.
Po ashtu, edhe përgjegjës të fushatës së Biden nuk i janë përgjigjur një kërkese për koment.
Përveç mbështetjes së Future Forward, organizata jofitimprurëse e McClave dhe Berger dha gjithashtu 7 milionë dollarë të tjera në vitin 2022 për Qendrën për Informacionin e Votuesve, një grup që punon për të inkurajuar të rinjtë, gratë dhe pakicat për të votuar./ZËRI