Bota

Debati për gjuhën shqipe/ Kryeministri i Maqedonisë së Veriut: Ligji të pranohet, nuk jemi “tryezë suedeze”

Mickoski u shpreh se është person që i respekton ligjet dhe pret që kjo të pranohet edhe nga të tjerët.

F.I
Debati për gjuhën shqipe/ Kryeministri i Maqedonisë së
Hristijan Mickoski

MAQEDONIA E VERIUT- Gjuha shqipe mund të mos të jetë më gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Gjykata Kushtetuese në Maqedoni do të vendosë në shtator nëse do ta lërë në fuqi apo do ta shfuqizojë ligjin për gjuhët, ku një ndër gjuhët është edhe shqipja. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, ka paralajmëruar nisjen e një iniciative kundër gjuhës shqipe, duke deklaruar se “ligji për përdorimin e gjuhëve ka krijuar një kaos juridik që është shndërruar në kaos politik”. Lidhur me deklaratat e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ka patur mjaft reagime, ku së fundmi edhe kryeministri i vendit ka dhënë komentin e tij lidhur me ndryshimet.

Në fjalën e tij në Kuvend, deputeti Elmi Aziri ka rikujtuar se shqiptarët janë prej kohësh në atë shtet dhe se gjuha shqipe është folur atje prej shumë kohësh tashmë. Sipas tij i gjithë ky debat është një është shprehje e një mllefi të akumuluar nacionalist, shovinist, racist dhe fashist.

“Ajo që u tha këtu është shprehje e një mllefi të akumuluar nacionalist, shovinist, racist dhe fashist. Këtu gjithçka u tha, për tiparet e shqiptarët, për atributet, u tha për gjuhën, bindjet politike, për tendencat që këtë shtet ta bëjmë ta barabartë dhe shqiptarë të trajtohen njëlloj si të tjerët, por personit në fjalë i pengon” tha mes të tjerash ai.

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski i pyetur sot rreth kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e Gjuhëve dhe mundësin e destabilizimit të vendit tha se realiteti ndonjëherë është i hidhur dhe se nuk është “tryezë suedeze”, ku mund të marrësh atë që të pëlqen dhe ta lësh atë që nuk të pëlqen. Mickoski u shpreh se është person që i respekton ligjet dhe pret që kjo të pranohet edhe nga të tjerët.

"Nuk besoj se do të ketë mundësi për destabilizim… Unë jam person që i respektoj ligjet dhe kushtetutën dhe nuk pres që kushdo qoftë që merr pagë dhe shfrytëzon privilegjet e qytetarëve këtu tek ne, të mos i respektoj ligjet e Maqedonisë dhe Kushtetutën e Maqedonisë. Ndoshta edhe mua më paraqet problem diçka që është bërë në të kaluarën me Kushtetutën, dhe sado që të mos pajtohem dhe të jem kundër, siç është përdorimi i mbiemrit “E Veriut”, unë derisa ta ushtroj këtë funksion do të qëndroj para kësaj shenje, sepse nuk dua që në këtë mënyrë ta lëndoj Kushtetutën e Maqedonisë dhe Ligjet e Maqedonisë, kjo është kjo. Ndonjëherë realiteti mund të mos ju pëlqej, por ju duhet ta pranoni atë realitet, në rast se vërtet luftoni për sundimin e së drejtës. Ndonjëherë në jetë gjërat shkojnë ashtu siç ju dëshironi, por ndonjëherë nuk janë ashtu siç ju i dëshironi. Nuk është kjo një tryezë suedeze që të mund të marrim atë që na pëlqen, ajo që nuk na konvenon ta lëmë anësh. Ka disa struktura në shoqëri të cilat kanë për qëllim që të mbrojnë kapitalin e tyre të fituar në mënyrë kriminale, që të shkaktojnë incidente dhe shkaktojnë destabilizim, por në rast se kjo ndodhë ne do të reagojmë në mënyrë objektive në drejtim të mbrojtjes së sigurisë së vendit tonë”, u shpreh Mickoski.

Reagime të ashpra kanë ardhur nga koalicioni VLEN dhe partitë shqiptare në bashkëqeverisje me VMRO, të cilët e kanë cilësuar këtë iniciativë si tentativë për grusht shteti. Opozita shqiptare, përfshirë BDI dhe Aleancën për Shqiptarët, ka bërë thirrje të mos preket statusi i shqipes.

Agjencia për Zbatimin e Ligjit për Gjuhët e Pakicave e ka cilësuar iniciativën si një veprim me karakter politik dhe nacionalist që rrezikon tensione dhe konflikte të reja. Ligji për dygjuhësinë, i miratuar në vitin 2018, parashikon përdorimin e gjuhës shqipe në nivel kombëtar, përfshirë institucionet shtetërore dhe komunat me të paktën 20% të popullsisë shqiptare./ZËRI

Poll

MOS HUMB