Bota

Deklarata për Kosovën, ministrja serbe refuzon dorëheqjen: Duhej të përdorja termin "deportim", Sveçla është terrorist!

Në një intervistë për televizionin serb TV Prva, Paunoviç deklaroi se fjala më e përshtatshme do të kishte qenë “deportim”, duke shtuar se përdorimi i termit “spastrim etnik” solli kritika nga të gjitha anët. 

zh.ll
Deklarata për Kosovën, ministrja serbe refuzon dorëheqjen: Duhej
xhelal svecla-Snezana Paunoviç

SERBI- Ministrja serbe Snezana Paunoviç ka reaguar pas polemikave të shkaktuara nga deklarata e saj për “spastrimin etnik të Kosovës”, duke thënë se ndoshta ka përdorur një term jo të përshtatshëm.

Në një intervistë për televizionin serb TV Prva, Paunoviç deklaroi se fjala më e përshtatshme do të kishte qenë “deportim”, duke shtuar se përdorimi i termit “spastrim etnik” solli kritika nga të gjitha anët. 

“Me siguri duhej të thoja deportim, thjesht që të shmangia kaq shumë kritika nga të gjitha anët. Por, kushdo që është i arsyeshëm e kupton për çfarë kam folur, edhe pse fatkeqësisht më rrëshqiti ai term. Në fund të ditës, kur vetë ke qenë subjekt i spastrimit etnik, ose për pak sa nuk ndodhi, sepse ende përpiqen ta bëjnë, është e natyrshme që shprehja ‘spastrim etnik’ të mbetet në mendjen tënde për shkak të asaj që ke përjetuar”, ka thënë ministrja.

Duke folur për kërkesat për dorëheqjen e saj, Paunoviç tha se do të largohej nga posti nëse shumica e qytetarëve serbë do ta konsideronin deklaratën e saj problem për vendin.

“Nëse shumica e Serbisë e kërkon këtë, nuk do të kem problem të tërhiqem”, deklaroi ajo.

Paunoviç ka deklaruar se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje, përveç nëse këtë ia kërkon shumica e popullit serb, ndërsa ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka quajtur “terrorist”.

“Ai ka qenë luftëtar i njohur i UÇK-së terroriste dhe ka vrarë e ka zbrazur rajonin e Dukagjinit etnikisht. Ka qenë pjesë e forcave që kanë kidnapuar njerëz, i kanë dërguar në Shtëpinë e Verdhë dhe u kanë nxjerrë organet”, është shprehur ministrja në intervistë.

Cila ishte deklarata e ministres serbe?

Gjatë një interviste për median serbe Kurir, ministrja serbe është shprehur se nëse do të kishte pasur të njëjtën liri veprimi si ish-presidenti serb Slobodan Millosheviç, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

“Për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviqi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, deklaroi ministrja serbe gjatë një nterviste.

Deklarata e saj shkaktoi polemika të forta e të ashpra, pasi i referohet drejtpërdrejt konceptit të “spastrimit etnik”, që lidhet me krime të rënda gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi dhe luftës në Kosovë. BE dënoi deklartaën duke kërkuar vetëpërmbajtje. Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, po ashtu u shpreh e tronditur ndaj kësaj deklarate, duke e cilësuar si të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, mori vendim dhe e shpalli person non grata ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviç, duke ia ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen apo kalimin tranzit përmes Kosovës. Ndërkohë Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha e cilësoi deklaratën si të papranueshme, tronditëse dhe fyese për viktimat e luftës.

Sipas tij, shprehja e keqardhjes që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh përbën relativizim dhe normalizim të një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB