
Hamasi thotë se delegacioni i tij është larguar nga Kajro, ku po zhvillonte bisedimet për armëpushimin në Gaza, dhe është rrugës për në Doha, Katar. Sipas mediave të huaja, Hamasi tha në një deklaratë se pushtimi i Rafahut nga Izraeli dhe kapja e pikës kufitare të zonës kishin për qëllim pengimin e përpjekjeve të ndërmjetësve dhe përshkallëzimin e luftës.
Ai ripohoi gjithashtu "angazhimin" e tij ndaj propozimit aktual të armëpushimit. Ndërkohë, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë tha sot se rreth 80,000 njerëz janë larguar nga Rafah, në Rripin jugor të Gazës, që nga 6 maji, kur Izraeli urdhëroi palestinezët që jetonin në pjesën lindore të qytetit të largoheshin.
"Që kur forcat izraelite i rritën operacionet e tyre më 6 maj, rreth 80,000 njerëz janë larguar nga Rafah, duke kërkuar strehim diku tjetër, çmimi që këto familje po paguajnë është i padurueshëm," i tha UNRWA X, duke sqaruar se "asnjë vend nuk është i sigurt" në Rripin e Gazës./ZËRI