
SHKUP- Ballkani është tronditur nga rrëmbimi dhe më pas vrasja e 14-vjeçares Vanja Gjorgjevski në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Organizatori kryesor i vrasjes ishte Lupço Palevski, kreu i partie pro-ruse në Maqedoninë e Veriut dhe drejtues portalesh në vendin fqinj.
Mësohet se pas krimit të tmerrshëm, Palevski është nisur nga Shkupi në drejtim të Serbisë, me makinën e tij Skoda Superb, ku ka qëndruar në një hotel. Nga aty, të nesërmen, së bashku me një person nga Shkupi, merr një xhip Range Rover dhe përmes pikës kufitare Gradina, hyn në Republikën e Bullgarisë. Pasi kalon gjithë Bullgarinë, hyri në Turqi. Këtë gjë e bëri me dije edhe ministri i Brendshëm maqedonas, Oliver Spasovski në konferencën e djeshme për media.
Siç njoftoi ministri, Palevski kishte parashikuar të shkojë në qytetin Balikesir të Turqisë, gjë që e morën vesh shërbimet maqedonase nga departamenti për bashkëpunim ndërkombëtar policor. Plani i vrasësit ishte të shkonte në Stamboll me taksi, por ai qëndroi në Balikesir, kryeqyteti i qarkut administrativ me të njëjtin emër në Turqinë perëndimore, që kufizohet me dy dete dhe që është larg 280 km nga Stambolli. Ministri maqedonas shtoi se policia turke e arrestoi vrasësin, teksa ishte duke ecur në një nga autostradat e Balikesirit.

Ndihmësi i vrasësit poston foto nga udhëtimi në Turqi
Dje është arrestuar edhe ndihmësi Stefan Dimkovski nga Strumica, i cili vrasësin, nga Serbia përmes Bullgarisë e ka çuar në Turqi. Ai është arrestuar dje pasdite nga policia maqedonase në pikën kufitare Dojrani dhe ndodhet në paraburgim. Është e çuditshme që ai vetë ka postuar fotografi të rrugës në Facebook në të njëjtën ditë kur ka qenë duke dërguar Palçon në Stamboll, të dyshuarin për vrasjen, raporton Telma. Pasi u arrestua në pikën kufitare, ai shpjegoi me detaje planet dhe vendndodhjet e të arratisurit, si dhe zbuloi saktësisht se ku do të qëndronte në Turqi. Kështu informon Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Të dyshuar për vrasjen e Vanjës dhe Pançes, përveç Ljupça Palevski Palča, janë edhe Velibor Manev, Vlatko Keshisov dhe Bore Videvski, të cilët kanë pranuar fajin. Sipas hetimeve, në këtë rast është i përfshirë edhe babai i Vanjës, Aleksandër, i cili dyshohet se ka ndarë informacione për lëvizjet e vajzës së tij me të dyshuarit e tjerë dhe i cili gjatë seancës ka mohuar krimet për të cilat akuzohej.
Gjithashtu, sipas prokurorit, ekziston dyshimi i arsyeshëm se më 22 nëntor, katër të dyshuar, sipas marrëveshjes së mëparshme, e kanë rrëmbyer Zhezhevskin nga shtëpia e tij në Veles, me qëllim që ta detyrojnë që t'ua dhurojë "Citroen"-in e tij, të cilin do ta përdornin për të rrëmbyer Vanjën. Pasi kanë hyrë në shtëpinë e tij, e kanë sulmuar fizikisht, e kanë lidhur, e kanë futur në makinë, e kanë nxjerrë jashtë qytetit, e kanë vrarë dhe e kanë varrosur. Vrasja e rëndë tronditi opinionin publik në gjithë rajonin.
Maqedonia e Veriut kërkon ekstradimin e vrasësit të adoleshentes
Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut ka kërkuar nga autoritetet turke që ta mbajnë në paraburgim të dyshuarin kryesor për vrasjen e vajzës 14-vjeçare në Shkup dhe të një 74-vjeçari nga Velesi, derisa të mbarojnë procedurat për ekstradimin e tij. MD e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ka nënshkruar kërkesën për ekstradim që do t’i dërgohet Ministrisë turke të Drejtësisë. Shkupi pret që Ankaraja të veprojë me shpejtësi në përgjigje të kërkesës. Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë një marrëveshje të përbashkët ekstradimi. Pasi të miratohet ekstradimi, do të merret një vendim për kohën dhe mënyrën e transferimit të të dyshuarit, Lupço Palevski. Ky i fundit është arrestuar dje në qytetin turk të Balikesir, në jug të Stambollit. Ai fillimisht kishte shkuar në Serbi, duke gjetur si alibi arsyen shëndetësore, ndërsa më pas ka udhëtuar drejt Bullgarisë e në fund në Turqi./ZËRI