
UKRAINË- Autoritetet ukrainase kanë arrestuar 2 zyrtarë, të cilët, siç pretendon Kievi, kishin planifikuar të vrisnin presidentin Volodymyr Zelenskyy. Shërbimi ukrainas i sigurisë (SBU) bëri me dije se "çmontoi një rrjet agjentësh rusë", të cilët kishin në plan që të vrisnin presidentin. Por Zelenskyy nuk ishte u vetmi, pasi persona të tjerë në listë për t'u ekzekutuar ishin ushtarë të rangut të lartë të Forcave të Armatosura dhe figura politike, përfshirë kreun e inteligjencës ushtarake Kirill Budanov.
"Ky rrjet u "monitorua" nga FSB dhe dy oficerët "i kaluan informacione konfidenciale" Rusisë,"- bëri me dije SBU. I gjithë plani ishte që ta merrnin peng Zelenskyy-n dhe më pas ta ekzekutonin. Madje ishin pajisur me një dron dhe eksploziv. Kreu i SBU, Vasyl Maliuk bëri me dije se sulmi terrorist supozohej që të ishte një dhuratë për Putinin, ditën që ai do të betohej sërish si president, pra sot.
Që nga nisja e luftës, Ukraina ka denoncuar vazhdimisht tentativat për vrasje ndaj presidentit të saj dhe zyrtarëve të tjerë të rangut të lartë. Sipas prokurorëve polakë dhe ukrainas, në prill, një burrë, i cili ishte përgatitur për të sulmuar presidentin Zelenskyy u arrestua në Poloni. Ndërkohë që jo më larg se dje, Rusia e futi presidentin e Ukrainës në listën e personave të shpallur në kërkim./ZËRI