
KOSOVË- Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka vizituar sot Manastirin e Deçanit, një ditë pasi Qeveria urdhëroi regjistrimin e tokës në Manastirin e Deçanit. Ai gjithashtu ka zhvilluar një takim më kryetarin e komunës së Pejës Gazmend Muhaxherin, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave nga Gorazhdeci, si dhe me të rinjtë nga komuniteti shqiptar, serb dhe boshnjak në këtë komunë.
Në një prononcim për median lokale në gjuhën serbe "Radio Gorazhdevac", Escobar shprehu shqetësimin për qytetarët serbë në këtë komunë të cilët kanë vështirësi për marrjen e pensioneve. Për jetesën e serbëve në Kosovë, ai tha se do të mbajë përgjegjësi Qeveria e Kosovës.
“Desha të vij në këtë vend për të dëgjuar historitë nga dora e parë që kanë njerëzit mbi ndikimin që është duke pasur vendimi i BQK-së. Është e vështirë që të dëgjohen këto histori dhe të mos lëvizet. Këtu është një komunitet që vërtetë janë duke vuajtur. Ka njerëz të cilët po përballen me vështirësi reale të mungesës së opsioneve për marrjen e pensioneve. Kështu që, unë dua vërtet që të punoj me Qeverinë me shpresën që të gjejmë një zgjidhje të menjëhershme”, tha ai.
Ndër të tjera Escobar u shpreh se serbët që jetojnë në Kosovë kanë mbështetjen e plotë të SHBA-së.
“Për komunitetin këtu, unë dua që këta të ndiejnë dhe të dinë se qeveria amerikane do që serbët të jetojnë në Kosovë në kushte të sigurisë dhe dinjitetit dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Dhe për Qeverinë e Kosovës – ata kanë përgjegjësinë që kjo të ndodhë dhe ne do ta mbajmë përgjegjëse për këtë”, shtoi ai.
Gjithashtu, Escobar shtoi se po punohet për të zbatuar marrëveshjen e fundit Kosovë-Serbi.
Dinari serb
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e përjashtuar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit hyri në fuqi më 1 shkurt pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj. Autoritetet e Beogradit thanë se zbatimi i rregullores po kërcënon mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan ashpër për këtë çështje qeverinë e Kosovës duke vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në. Çështja e dinarit serb pritet të diskutohet në Bruksel./ZËRI