HAGË- Në Hagë do të zhvillohet sot dita e pestë e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Gjatë së premtes do të vazhdojnë deklaratat përmbyllëse nga ekipet mbrojtëse të Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Të enjten, ekipi mbrojtës i Veselit përmbylli fjalën e tij, duke argumentuar se ish-kryeparlamentari i Kosovës është i pafajshëm dhe duhet të lirohet. Avokati i Veselit, Rodney Dixon insistoi se ndaj klientit të tij nuk ka asnjë provë për përfshirje në krime, por theksoi se “kemi ngelur në duart e thashethemeve”.
Në ditën e tretë, ishte radha e mbrotjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi. Avokati i tij, Luka Mishetiç e ka nisur fjalën e vet duke deklaruar se ish-presidenti i Kosovës është i pafajshëm dhe kjo është pikënisja prej ku duhet të merret vendimi.
Gjatë kësaj jave ekipet mbrojtëse dhe ish-krerët e UÇK-së, kanë mundësi që për herë të fundit t'i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.
Prokuroria ka kërkuar për katër të akuzuarit nga 45 vjet burgim për secilin, në total 180 vjet burg. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm. /ZËRI
