Bota

Dita e katërt/ Gjyqi i ish-krerëve të UÇK-së, sot fjala e mbrojtjes së Veselit

Dje përfundoi dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së.

zh.ll
Dita e katërt/ Gjyqi i ish-krerëve të UÇK-së, sot
avokati i veselit, Rodney Dixon

HAGË- Në Dhomat e Specializuara në Hagë, sot në 12 shkurt do të vazhdojë seanca gjyqësore me deklaratat e mbrojtjes së Kadri Veselit, për t’u pasuar më pas nga mbrojtja e Rexhep Selimit.

Dje përfundoi dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së. Dixon do të vazhdojë edhe sot paraqitjen e mbrojtjes për ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, e cila nisi dje para trupit gjykues, por nuk përfundoi.

Mbrojtësi i Veselit, Rodney Dixon, po vazhdon fjalën përfundimtare, duke insistuar se ndaj klientit të tij nuk ka asnjë provë për përfshirje në krime, por theksoi se “kemi ngelur në duart e thashethemeve”. Ai tha se emri i Veselit përmendet 260 herë në dosjen e Prokurorisë, por në asnjë rast emri nuk i përmendet në një kontekst që ka element kriminal.

“Pretendimet e drejtpërdrejta [për përfshirje në krime të Veselit] janë bazuar tërësisht në prova dytësore, shpesh dhe janë hequr. ZPS nuk ka gjetur asnjë dëshmitar që të vijnë në gjykatë dhe të thotë se Veseli ka kryer krime. S’mund ta bënin sepse nuk ekziston”, tha ai.

Në ditën e tretë, ishte radha e mbrotjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi. Avokati i tij, Luka Mishetiç e ka nisur fjalën e vet duke deklaruar se ish-presidenti i Kosovës është i pafajshëm dhe kjo është pikënisja prej ku duhet të merret vendimi.

Gjatë kësaj jave ekipet mbrojtëse dhe ish-krerët e UÇK-së, kanë mundësi që për herë të fundit t'i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

Prokuroria ka kërkuar për katër të akuzuarit nga 45 vjet burgim për secilin, në total 180 vjet burg. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm. /ZËRI

Poll

MOS HUMB