Bota

Ramush Haradinaj njofton largimin nga drejtimi i AAK-së

Ai theksoi se arsyeja kryesore për këtë largim nga gara për kryetar është koha e gjatë në udhëheqjen e partisë dhe një rezultat zgjedhor që nuk ka përmbushur pritshmëritë.

l.k
Ramush Haradinaj njofton largimin nga drejtimi i AAK-së
Ramush Haradinaj

PRISHTINË- Ramush Haradinaj ka njoftuar se nuk do të kandidojë më për kryetar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke dhënë dorëheqjen nga posti aktual. Ky njoftim erdhi gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, ku Haradinaj shpalli vendimin e tij. Ai theksoi se arsyeja kryesore për këtë largim nga gara për kryetar është koha e gjatë në udhëheqjen e partisë dhe një rezultat zgjedhor që nuk ka përmbushur pritshmëritë.

 “Procesi zgjedhor fillon nga 20 shkurti. Është risi ose ndryshim sepse nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës në këto zgjedhje të brendshme. I kam treguar edhe disa arsye, ua shpjegoj edhe ju. Një arsye është koha e gjatë, arsyeja e dytë është rezultati zgjedhor. Po ashtu është edhe besim që kam në kuadrin e Aleancës”, tha Haradinaj në një deklaratë per mediat pas takimit të Këshillit të Përgjithshëm të Aleancës.

Haradinaj gjithashtu shprehu besimin e tij në strukturat e brendshme të AAK-së dhe theksoi se do të vazhdojë të kontribuojë në zhvillimin e partisë, por që, sipas tij, është koha për një ndryshim drejt udhëheqjes së re. Kandidatura e vetme për momentin për kryetar të AAK-së është ajo e Ardian Gjinisë, kryetarit të Gjakovës. Ky njoftim vjen në një periudhë kur AAK po përgatitet për zgjedhjet e brendshme që do të fillojnë më 20 shkurt./ZËRI

 

 

Poll

MOS HUMB