
SERBI- Ministria e Punëve të Jashtme në Serbi i ka dorëzuar një notë proteste Ambasadës së Shqipërisë, në të cilën dënon djegien e flamurit serb në Tiranë, të hënën. Djegia e flamurit u bë ngta tifozët në ditën e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe.
“Ne besojmë se ngjarje të tilla dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve, të cilat në vitet e fundit kanë arritur pikën më të lartë gjatë historisë së tyre të përbashkët shekullore”, theksoi Ministria, e cila pret që institucionet kompetente të Shqipërisë të bëjnë gjithçka që munden, për të identifikuar personat që dogjën flamurin.
Në notë shprehet pritshmëria që Shqipëria të informojë institucionet e Serbisë për ndjekjen penale të autorëve, nëpërmjet kanaleve diplomatike brenda një periudhe të arsyeshme kohore.
Gjatë ditës së djeshme ishin mediat serbe, ato që kërkuan reagimin e UEFA-s mbi koret e tifozëve në stadium, por edhe për djegien e flamurit serb. Ata i cilësuan tifozët shqiptarë si primitivë.
/Zëri.ai