
REYKYAVIK - Islanda ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, pas një sërë tërmetesh, që ngritën frikën për një shpërthim vullkanik.
Autoritetet kanë urdhëruar mijëra persona, që jetojnë në qytetin jugperëndimor të Grindavík të evakuohen, si masë paraprake.
Zyra e Meteorologjisë Islandeze (IMO) thotë se është e shqetësuar se sasi të mëdha magme - shkëmbinj të shkrirë - po përhapen nën tokë dhe mund të shfaqen atje.
Javët e fundit janë regjistruar mijëra lëkundje rreth vullkanit Fagradalsfjall.
Lëkundjet janë përqendruar në gadishullin Reykjanes të Islandës, i cili kishte mbetur ‘i fjetur’ ndaj aktivitetit vullkanik për 800 vjet, përpara një shpërthimi të vitit 2021.
Të enjten, rritja e aktivitetit sizmik në zonë shkaktoi mbylljen e pikës së afërt të Lagunës Blu. Më shumë se 20,000 lëkundje janë regjistruar në Islandën jugperëndimore, që nga fundi i tetorit.
Agjencia e Mbrojtjes Civile e Islandës tha se vendimi për evakuim erdhi pasi IMO nuk mund të përjashtonte mundësinë që një "tunel magme që po formohet aktualisht, mund të arrijë në Grindavík".
Në një deklaratë të premten, agjencia tha se njerëzit duhet të largohen nga qyteti, por gjithashtu theksoi se nuk ishte një "evakuim urgjent" - duke u bërë thirrje atyre që "të qëndrojnë të qetë, sepse ka një kohë në dispozicion për të reaguar".
"Nuk ka asnjë rrezik të menjëhershëm të afërt, evakuimi është kryesisht parandalues për sigurinë e të gjithë banorëve të Grindavík", thanë autoritetet.
Të gjitha rrugët për në qytetin me rreth 4,000 banorë janë mbyllur, por përdoren në raste emergjente./BBC - Zëri.ai/