SERBI- Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, është është përfshirë në një moment të tensionuar gjatë një takimi publik në qytetin e Bor. Vuçiç u përball me një denoncim të drejtpërdrejtë lidhur me mungesën e ndihmës sociale për një fëmijë me probleme shëndetësore.
Gjatë aktivitetit, një grua mori fjalën dhe tregoi se prej nëntë muajsh po përballet me vështirësi për të siguruar mbështetje financiare për djalin e saj, i cili vuan nga sëmundje të zemrës. Sipas gruas, institucionet përgjegjëse nuk i kanë ofruar asnjë zgjidhje pavarësisht aplikimeve dhe kërkesave të përsëritura prej saj.
Por, çfarë ndodhi në këtë 'përballje'? Në përgjigje, presidenti u ndal te procedurat dhe mekanizmat e kontrollit në qendrat e shërbimeve sociale, duke lënë të kuptohet se mund të ketë pengesa administrative apo ligjore që ndikojnë në miratimin e pagesave. Në këtë mënyrë, presidenti Vuçiç shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë mbi ndihmën financiare.
Gruaja në fjalë kërkoi që çështja të mos diskutohej në detaje në prani të fëmijës. Ndërsa në një moment, e prekur emocionalisht, gruaja shpërtheu në lot dhe zbuloi publikisht se nuk është nëna biologjike e fëmijës. Ajo sqaroi se është tezja e tij, se nëna biologjike ka ndërruar jetë dhe se prej 13 vitesh kujdeset për të. Ajo shtoi se përpjekjet për ta adoptuar kanë dështuar vazhdimisht.
“Nuk më lejojnë ta adoptoj. Jam tezja e tij. Nëna e tij ka ndërruar jetë. Prej 13 vitesh kujdesem për të, i përmbush të gjitha kriteret, por sërish më refuzojnë. Nuk doja që ai ta mësonte në këtë mënyrë se nuk jam nëna e tij”, u shpreh ajo mes lotësh, ndërsa djali qëndronte pranë saj.
Pasi dëgjoi deklaratën, Vuçiç e cilësoi një rast kompleks nga pikëpamja procedurale. Megjithatë, presidenti premtoi angazhim personal për verifikimin e situatës. Madje, për këtë, ai la një afat duke deklaruar se do të japë një përgjigje brenda së mërkurës.
Në fund, presidenti theksoi se, përtej formaliteteve ligjore, ajo mbetet në çdo rast figura prindërore e fëmijës për shkak të përkushtimit të saj ndër vite./ZËRI