
UASHINGTON- Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump lajmëroi se në krye të Zërit të Amerikës do të emëroje Kari Lake, besnikja e tij që kandidoi për guvernatore e Arizonës, por pa sukses. Lake gjithashtu ishte zgjedhja e dytë e Trump për zëvendëspresidente nëse JD Vance nuk do të pranonte atë pozicion.
Lake është e njohur për qëndrimet e saj të ashpra në lidhje me emigracionin, ajo ishte moderator në televizionin e Phoenix për gati tre dekada. Ajo u largua në vitin 2021 pasi bëri një sërë deklaratash të diskutueshme në mediat sociale, duke përfshirë dezinformim gjatë pandemisë COVID-19. Në një deklaratë, Trump tha se Lake përfundimisht do të emërohet si drejtorja e VOA dhe do të punojë ngushtë me kreun e Agjencisë Amerikane për Media Globale për administratën e tij të ardhshme, "të cilin do ta shpall së shpejti".
Ai tha se Lake do të sigurojë që vlerat amerikane të Lirisë të transmetohen në mbarë botën në mënyrë të drejtë dhe të saktë, ndryshe nga gënjeshtrat e përhapura nga mediat e lajmeve të rreme. Presidenti i zgjedhur ka qenë në të kaluarën një kritik i ashpër i Zërit të Amerikës, ku në vitin 2020 e akuzoi atë se po transmeton lajme të neveritshme për popullin amerikan.
Zëri i Amerikës u themelua gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe statuti i tij i kongresit kërkon që ai të prezantojë lajme dhe informacione të pavarura për audiencën ndërkombëtare. Me marrjen e detyrës në janar 2021, administrata e Presidentit Joe Biden hoqi me shpejtësi një numër zyrtarësh të lartë të emëruar nga Trump në VOA. /ZËRI