ULQIN- Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Ulqinin, ku një 46-vjeçar nga Kosova dyshohet se ka vrarë partneren e tij dhe më pas i ka vënë flakën banesës ku jetonin së bashku. Sipas mediave malazeze, i dyshuari është Bashkim Gashi, 46 vjeç, ndërsa viktima është identifikuar si D.N., 36 vjeçe, shtetase shqiptare.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen Kodre të Ulqinit, rreth orës 00:30. Fillimisht, policia është njoftuar për një zjarr në një banesë. Me të mbërritur në vendngjarje, efektivët kanë gjetur trupin e pajetë të një gruaje brenda objektit të përfshirë nga flakët. Gjatë ndërhyrjes, është konstatuar edhe një person tjetër me djegie trupore, i cili më pas u identifikua si Bashkim Gashi.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se 46-vjeçari ka vrarë partneren e tij dhe më pas i ka vënë zjarrin banesës me qëllim fshehjen e gjurmëve të krimit. Pas ngjarjes, ai është larguar nga vendi i krimit, por është lënduar nga flakët. Më pas është dërguar fillimisht në Spitalin e Përgjithshëm në Tivar dhe më pas në Qendrën Klinike të Malit të Zi në Podgoricë, ku po merr trajtim mjekësor.
Në koordinim me Prokurorinë e Lartë në Podgoricë, hetuesit kanë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë, kanë mbledhur prova materiale dhe kanë marrë dëshmi nga persona të ndryshëm për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Hetimi në vendin e krimit është kryer nga prokurori kompetent në prani të ekspertëve forensikë dhe forcave të policisë, ndërsa autoritetet vijojnë punën për të sqaruar rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë./ZËRI