
SOMALI- Të paktën 31 persona kanë vdekur dhe gjysmë milioni të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Somali, e cila është goditur nga përmbytjet për shkak të shirave të pandërprerë. Reshjet e dendura kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën civile, veçanërisht në rajonin Gedo të Somalisë jugore. Përmbytjet kanë prekur edhe Keninë fqinje, ku numri i të vdekurve arriti në 15.
Somalia është goditur që nga fillimi i nëntorit nga shirat e pandërprerë që i atribuohen pjesërisht fenomenit El Nino, duke rezultuar në përmbytje që kanë përfshirë shtëpitë dhe kulturat bujqësore. El Nino aktualisht po intensifikon reshjet e sezonit me shi në Bririn e Afrikës, me pasojat që prekin edhe Etiopinë (të paktën 20 të vdekur) dhe Keninë (të paktën 15 të vdekur).
Somalia, ku shumica e 17 milionë njerëzve të saj punojnë në blegtori dhe bujqësi, është ndër vendet më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike dhe po goditet nga ngjarjet ekstreme të motit që po rriten në frekuencë dhe intensitet. Organizata Botërore Meteorologjike ka paralajmëruar se fenomeni El Nino, i cili përgjithësisht shoqërohet me rritje të temperaturave, thatësira në disa pjesë të botës dhe shira të dendur në të tjera vende, pritet të vazhdojë të paktën deri në prill.