
KROACI- Partia Konservatore e kryeministrit Andrej Plankoviç, Bashkimi Demokratik Kroat, fitoi zgjedhjet parlamentare përballë koalicionit të majtë të drejtuar nga Presidenti Zoran Milanoviç. Ndërkohë deputetja shqiptare e disa legjislaturave në parlamentin kroat, Ermina Lekaj Prljaskaj nga Bashkimi i Shqiptarëve në Kroaci nuk ka arritur që të sigurojë mandatin e deputetit.
Armin Hodzhiç, kandidat i Koordinimit Kombëtar të Boshnjakëve në Kroaci, ka fituar mandatin e deputetit dhe do të përfaqësoj pesë pakicat kombëtare në Parlamentin kroat. Hoxhiç ka marrë votat e 3 mijë e 328 votuesve, ndërsa Lekaj Prljaskaj, 2 mijë e 239 votues. Hoxhiç do të përfaqësojë pakicat kombëtare shqiptare, boshnjake, malazeze, maqedonase dhe sllovene.
Zgjedhjet parlamentare u konsideruan si një test për popullaritetin për kryeministrin Andrej Plenkoviç dhe partinë e tij, e cila ka dominuar politikën që nga pavarësia e Kroacisë. Rezultatet mund të ndikojnë edhe në politika të mëdha, duke përfshirë mënyrën se si qeveria kroate e sheh konfliktin në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Plenkoviç mbështet Ukrainën, por opozita jo./ZËRI