
ZAGREB - Deputeti kroat i Parlamentit Europian, Tonino Picula, në një intervistë për median serbe “Nova”, deklaroi se nëse Serbia nuk e ekstradon Milan Radoiçiçin në Prishtinë, mund të përballet me pasoja të mëdha.
“Në rast se Milan Radoiçiç nuk ekstradohet në Prishtinë, kjo do të komplikojë edhe më shumë raportet, tashmë të ndërlikuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë gjithashtu dhe Serbia mund të përballet me sanksione dhe masa të rrepta”, tha Picula.
Eurodeputeti Tonico Picula flet edhe për përgjegjësinë që mund të kenë Vuçiç dhe Bërbaçiç në ngjarjen e rëndë në Banjskë, ku një grup serbësh të armatosur u konfliktuan me armë me Policinë e Kosovës.
“Unë besoj se Bërnabiç është vetëm formalisht kryeministre, pasi lideri i vërtetë i Serbisë është Aleksandër Vuçiç. Në lidhje me rastin e Banjskës, unë nuk mund të them se Vuçiç e Bërnabiç janë me patjetër fajtorë, pasi duhet edhe një hetim i thelluar, për të përcaktuar saktë diçka të tillë”, tha ai.
Eurodeputeti nënvizon gjatë intervistës, se është shqetësuese për BE-në, që Serbia vazhdon të mbajë raporte të mira me Rusinë dhe Kinën.
“Mbajtja e raporteve të mira të Serbisë me Kinën dhe Rusinë, për BE-në përbën një shqetësim jo të vogël. Serbisë iu bë thirrje që të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe nuk e ka bërë, kjo është më tepër se shqetësuese”, deklaroi eurodeputeti Tonino Picula.
Në Prishtinë dhe Beograd, mbërritën vetëm dy ditë më parë, “pesëshja diplomatike”, të cilët deklaruan se do të marrin masa për rigjallërim të dialogut dhe përmbushje të detyrimeve, që ka Kosova dhe Serbia, në raport me marrëveshjet që kanë firmosur në tavolinë./Zëri.ai/