ZVICËR- Dhjetëra persona dyshohet se kanë humbur jetën dhe më shumë se 100 të tjerë janë plagosur pas një zjarri që shpërtheu në një resort skish në jug të Zvicrës, kanë bërë të ditur autoritetet.
Policia njoftoi se në zjarrin e ndodhur në orën 01:30 të mëngjesit të Vitit të Ri (00:30 GMT), në një bar të quajtur Le Constellation, në resortin Crans-Montana, besohet se janë përfshirë shtetas të disa kombësive të ndryshme.
Prokurorja kryesore e rajonit tha se ngjarja po trajtohet si zjarr aksidental dhe se “nuk ka asnjë dyshim për një sulm”. Ndërsa një linjë telefonike ndihme është vënë në dispozicion për familjarët e shqetësuar.
Sa persona kanë humbur jetën?
Në një konferencë për shtyp të enjten në mëngjes, policia deklaroi se “dhjetëra persona” dyshohet se kanë vdekur, por është ende herët për të dhënë një numër të saktë. Ministria e Jashtme e Italisë, duke cituar policinë zvicerane, tha se besohet se rreth 40 persona kanë humbur jetën.
Rreth 100 persona janë plagosur, shumica me djegie të rënda. Autoritetet zvicerane kanë bërë me dije se të plagosurit janë dërguar kryesisht në spitalin e Valais, ku repartet e terapisë intensive janë tashmë të mbushura. Një repart për djegiet në Milano, Itali, është vënë gjithashtu në dispozicion. Në vendngjarje u angazhuan 10 helikopterë, 40 ambulanca dhe rreth 150 punonjës të emergjencës.
Autoritetet kanë nisur punën për identifikimin e viktimave dhe kthimin e trupave tek familjarët sa më shpejt të jetë e mundur. Ambasadori italian në Zvicër tha se identifikimi i viktimave mund të zgjasë javë, për shkak të djegieve të rënda.
Mediat franceze raportojnë se të paktën dy nga të plagosurit janë shtetas francezë. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka shprehur “solidaritetin e plotë të Francës dhe mbështetjen vëllazërore” për Zvicrën.
Ambasada britanike në Zvicër njoftoi se po ndjek situatën dhe se stafi konsullor është në gatishmëri për të ndihmuar shtetasit britanikë të prekur.
Çfarë e shkaktoi zjarrin?
Shkaku i zjarrit ende nuk është konfirmuar. Prokurorja Beatrice Pilloud tha se ngjarja po trajtohet si zjarr aksidental dhe se “në asnjë moment nuk bëhet fjalë për një sulm”.
Lidhur me raportimet për një shpërthim, një zyrtar rajonal i sigurisë sqaroi se nuk ka pasur shpërthim nga ndonjë mjet shpërthyes, por se zjarri, teksa u përhap, shkaktoi shpërthime dhe përfshirje totale të ambientit nga flakët.
Dy shtetas francezë, të cilët ndodheshin në bar në momentin e ngjarjes, kanë deklaruar se panë një kamariere të vendoste një qiri feste mbi një shishe shampanje.
“Sapo një nga qirinjtë u afrua shumë pranë tavanit, ai mori flakë. Brenda pak sekondash, i gjithë tavani u përfshi nga zjarri. Gjithçka ishte prej druri”, thanë dëshmitarët për mediat franceze. Ata shtuan se evakuimi ishte shumë i vështirë, pasi daljet ishin të ngushta dhe shkallët edhe më të ngushta.
Komandanti i policisë rajonale deklaroi se tymi u vu re rreth orës 01:30, moment në të cilin u njoftuan shërbimet e emergjencës. Forcat e para të policisë mbërritën shpejt në vendngjarje, të ndjekura nga një operacion i gjerë shpëtimi.
Çfarë dihet për barin “Le Constellation”?
Le Constellation është një bar i madh në resortin e skive Crans-Montana dhe funksionon prej shumë vitesh. Megjithëse vetë resorti konsiderohet mjaft luksoz, bari nuk ishte veçanërisht elitë. Në katin e sipërm kishte ekrane televizive ku klientët ndiqnin ndeshje futbolli, ndërsa në katin e poshtëm ndodhej një bar i madh ku njerëzit pinin dhe kërcenin.
Ambienti kishte kapacitet deri në 300 persona, por ende nuk dihet saktësisht sa persona ndodheshin aty në momentin e zjarrit. Festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri janë ndër periudhat më të ngarkuara për resortet alpine dhe besohet se lokali ishte plot me banorë vendas dhe turistë që festonin ardhjen e vitit 2026./ Marrë nga BBC