
SHBA- 500 mijë dollarë është shpërblimi që ofron FBI për çdo të dhënë që mund të çojë në prangojen e personi që vrau shefin ekzekutiv të kompanisë UnitedHealthcare, Brian Thompson.
Shpërblimi është njoftuar se është rritur vetëm pak ditë pasi Ndaluesit e Krimit të NYPD njoftuan një shpërblim deri në 10,000 dollarë për informacionin që çon në arrestimin dhe dënimin e personit përgjegjës.
FBI ka shpërndarë edhe foto ku shihet autori i krimit, por që deri më tani ka qenë i paidentifikueshëm.
“Ne po kërkojmë ndihmën e publikut për të identifikuar të dyshuarin e panjohur përgjegjës për vrasjen,”- tha FBI në një njoftim për shtyp .
Kushdo që ka informacion në lidhje me këtë rast, i kërkohet të kontaktojë linjën e informacionit të FBI-së ose linjën informative të Departamentit të Policisë së qytetit të Nju Jorkut. Ata gjithashtu mund të kontaktojnë zyrën e tyre lokale të FBI-së ose të paraqesin një këshillë në internet në tips.fbi.gov, tha FBI.
Drejtuesi i firmës ‘UnitedHealthcare’, Brian Thompson, u vra mëngjesin e së mërkurës pranë një hoteli në Manhatan, ku viktima ndodhej për një takim me investitorët. Hetuesit dyshojnë se vrasja e tij është bërë “me paramendim”.
Sipas Policisë, sulmuesi fillimisht u largua në këmbë dhe më pas mori një nga biçikletat elektronike, që ofrohen me qira për t’u larguar drejt parkut kryesor të Manhatanit. Thompson u dërgua në spital, por mjekët nuk arritën t’ia shpëtonin jetën. Thompson ishte drejtues i firmës për më shumë se tre vjet. Ai punoi me ‘UnitedHealthcare’, që nga viti 2004. ‘UnitedHealthcare’ është firma më e madhe e sigurimeve shëndetësore në Shtetet e Bashkuara.