
IRAN - Aktivistes të të drejtave të njeriut Narges Mohammadi, 51 vjeçe, e cila aktualisht gjendet në burgun Evin të Teheranit, iu dha çmimi Nobel në tetor "për luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran".
Mirëpo, familja e saj ka njoftuar gjatë ditës së sotme se Mohammadi ka nisur grevën në burg.
“Narges Mohammadi, sot përmes një mesazhi nga Burgu Evin ka njoftuar familjen e saj se ka filluar grevë urie disa orë më parë. Jemi të shqetësuar për gjendjen fizike dhe shëndetin e Narges Mohammadi-t”, thuhet në njoftimin e familjes.
Mohammadi po refuzon të mbajë një hixhab, mbulesa e kokës e cila ka qenë e detyrueshme për gratë në hapësirat publike në Iran, pas revolucionit islamik të vitit 1979.
Autoritetet e burgut si kundërpërgjigje kanë refuzuar të transferojnë Mohammadin (e cili vuan nga sëmundjet e zemrës dhe mushkërive), në një spital jashtë Evin për trajtim.
Familja tha në deklaratë se ajo kishte nevojë urgjente për trajtim mjekësor jashtë burgut.
“Narges hyri në grevë urie sot për të protestuar për dy gjëra: politikën e Republikës Islamike, që vonon dhe neglizhon kujdesin mjekësor për të burgosurit e sëmurë dhe politikën e ‘hixhabit të detyrueshëm’ për gratë iraniane”, thuhet në deklaratë.
"Republika Islamike është përgjegjëse për çdo gjë që i ndodh Nargesit sonë të dashur. Ka kaluar një javë që ata refuzojnë t'i japin asaj ndihmën mjekësore që i nevojitet", thanë familjarët.
E arrestuar për herë të parë 22 vjet më parë, Mohammadi ka kaluar pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit brenda dhe jashtë burgut për fushatën e saj për të drejtat e njeriut në Iran.
Së fundmi ajo ka qenë e burgosur që nga nëntori 2021 dhe nuk i ka parë fëmijët e saj për tetë vite. Fëmijët e saj aktualisht janë në Francë. Për luftën e pandërprerë për të drejtat e njeriut dhe kryesisht grave, Narges mori Çmimin Nobel për paqe këtë vit./Zëri.ai/