
GAZA- Forcat e armatosura izraelite bombarduan një shkollë herët këtë mëngjes në Rripin e Gazës. Sipas autoriteteve palestineze më shumë se 100 persona humbën jetën, në shkollën e cila ishte kthyer si një qendër pritjeje për të strehuar personat e prekura nga bombardimet. Ushtria izraelite, nga ana e saj, njoftoi se kishte goditur një "qendër komanduese" të Hamasit.
Sipas shërbimit të informacionit të qeverisë së Hamasit në enklavën palestineze, të cituar nga WAFA, bombardimet shënjestuan njerëzit e zhvendosur që po kryenin namazin e mëngjesit, gjë që shpjegon numrin e lartë të viktimave. Një përfaqësues i mbrojtjes civile tha se numri i viktimave shkon më shumë se 100 dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur. Ai tha se shkolla u sulmua 3 herë dhe personat që ndodheshin aty ishin strehuar nga lufta.
Ushtria izraelite njoftoi se ka kryer një "goditje precize" kundër "terroristëve" që "operonin", sipas saj, në një "qendër komandimi dhe kontrolli" të instaluar brenda shkollës At Tabin, pranë xhamisë Daraz Tufa. Ai siguroi se përpara se të vazhdohej me bombardimin, mori "masa për të zvogëluar rrezikun e dëmtimit të civilëve", duke përfshirë "përdorimin e municioneve precize dhe mbikëqyrjen ajrore".
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i mbrojtjes civile e denoncoi këtë si një “masakër të tmerrshme”, duke përshkruar sesi ekipet e shpëtimit panë trupa të shumtë njerëzish duke u djegur.
“Ekipet po përpiqen të shuajnë zjarrin, të marrin trupat e viktimave dhe të shpëtojnë të lënduarit”, shtoi ai.
Të mërkurën mbrojtja civile në Gaza njoftoi se bombardimet izraelite në dy shkollave të tjera në qytetin e Gazës morën jetën e 18 personave. Edhe në këto raste, ushtria izraelite raportoi se në ndërtesat e shkollave vepronin "qendra komanduese" të Hamasit. /ZËRI