
MEKSIKË- Ambasadori amerikan në Meksikë, Ken Salazar siguroi dje se vendi i tij nuk kishte as përfshirjen më të vogël në operacionin që çoi në arrestimin në fund të korrikut në SHBA të Ismael "El Mayo" Zambada, udhëheqësi famëkeq i kartelit të drogës Sinaloa.
"Nuk kishte burime të Shteteve të Bashkuara në këtë operacion, nuk ishte një aeroplan i Shteteve të Bashkuara; drejtuesi nuk ishte pilot i Shteteve të Bashkuara; nuk ishin agjentët tanë apo njerëzit tanë në Meksikë. Pra, unë dua që ju të kuptoni qartë se asnjë burim i SHBA nuk u përdor për këtë operacion,"- këmbënguli Salazar gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin meksikan. Ai e bëri deklaratën duke iu përgjigjur komenteve të presidentit Andrés Manuel López Obrador, i cili pretendoi se kishte mungesë bashkëpunimi nga nga autoritetet amerikane në arrestimin e Zambada.
"El Mayo" u arrestua më 25 korrik në New Mexico, në jug të Shteteve të Bashkuara, menjëherë pas uljes së një avioni privat me të cilin po udhëtonte. Bashkë me të u arrestua edhe Joaquin Guzman Lopez, një nga djemtë e Joaquin "El Chapito" Guzman.
Mediat amerikane raportuan se "El Mayo" u mashtrua nga Guzmán López për të hipur në avion, të njëjtin qëndrim mbajti edhe avokati i Zambada, Frank Peres, i cili gjithashtu pretendon se klienti i tij ishte "rrëmbyer". Por e gjitha duket se është konfirmuar edhe nga ambasadori Ken Salazar. Të martën, López Obrador tha se autoritetet amerikane zhvilluan "biseda" me Joaquin Guzmán López përpara se ky i fundit të hipte në aeroplan dhe të merrte me vete edhe "El Mayo".
Presidenti meksikan tha gjithashtu se është në pritje të "informacioneve zyrtare" nga Uashingtoni, duke shtuar se kjo ngjarje mund të shkaktojë një konflikt të madh mes grupeve në vend.
A konfirmohet tradhtia kundër El Mayo?
Gazetarë dhe analistë të ndryshëm përhapën versione që tregonin për një dorëzim të dakordësuar, një tradhti...madje dhe një rrëmbim të orkestruar nga "El Chapito" për të dorëzuar para autoriteteve "kumbarin" e tij, El Mayo Zambada. Me deklaratat e Ken Salazar dhe qëndrimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Meksikë, versioni zyrtar përputhet me hipotezat e tradhtisë së Guzmán López ndaj Zambada. Por ende nuk dihet sesi "El Mayo" është futur në këtë aeroplan.
Avokati Frank Perez në një intervistë të dhënë për gazetarët Ioan Grillo dhe Juan Alberto Cedillo, pretendon se klienti i tij ishte rrëmbyer, rrahur dhe detyruar më pas që të hipte në avionin që do ta dërgonte në SHBA. Në avion, po sipas avokatit, ishin vetëm 3 persona, El Chapito, Mayo dhe piloti. Aktualisht, Zambada dhe Guzmán, bashkëthemelues të kartelit "El Chapo" do vuajnë dënimin e përjetshëm në një burg të sigurisë maksimale në SHBA./ZËRI