
PARIS - Franca duket se iu druhet sulmeve terroriste dhe do të ketë në të gjithë territorin e saj mbi 90 mijë policë, për të mbajtur rendin dhe sigurinë. Vetëm Parisi, ku priten deri në një milion persona në Champs-Elysees të dielën mbrëma - dy herë më shumë se vitin e kaluar - do të ketë 6,000 forca sigurie.
Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin u tha gazetarëve se masat e së dielës janë motivuar nga kërcënimi i shtuar i mundshëm terrorist, për shkak të konfliktit në Izrael dhe Palestinë. Pritet të ketë më shumë njerëz në rrugët e kryeqytetit sesa vitin e kaluar, për shkak të festimeve, për të shënuar 2024-ën si vit të Lojërave Olimpike Verore dhe Paraolimpike të Parisit.
Siguria kombëtare do të përfshijë 90,000 policë ose xhandarë, 5,000 anëtarë të kontingjentit ushtarak anti-terror nga Operacioni Sentinelle si dhe do të ketë njësi të lëvizshme. Mësohet se do të ketë një ndalim të pijeve alkoolike në disa zona të Parisit. ‘Nuk do të lejohen demonstratat politike’, shtoi shefi i policisë së Parisit, Laurent Nunez. ‘Njerëzit do të kontrollohen në trup përpara se të kenë akses në perimetrin e festimeve përreth Champs-Elysees dhe do të ndalohen të mbajnë çdo objekt që mund të përdoret si armë’, tha ai.
Dronët do të përdoren për vëzhgim dhe shërbimet e inteligjencës franceze do të vihen në gatishmëri. Franca, por edhe Europa janë përballuar me sulme të frikshme terroriste vitet e fundit, ndaj dhe në kontinent janë shtuar masat e sigurisë./ZËRI/