
KOSOVË- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin në Bruksel, ku do të diskutohet për Rregulloren e Re të Bankës Qendrore të Kosovës që parashikon se monedha e vetme në Kosovë për pagesa të jetë euro. Ai ka deklaruar se nuk mund të marrë pjesë në këtë takim, pasi çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut, ndërsa shtoi se do të vendoset javën e ardhshme se kush do të shkojë në vend të tij.
“Jo nuk ka kurrfarë zhvillimi, ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit të monedhave nga Serbia për në Kosovë por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për dialogun. Do të shohim se kush do të shkojë,”-tha ai.
Bislimi ndër të tjera u shpreh se nuk ka patur një dakordim për takimin, teksa akuzoi emisarin evropian se ka shkelur parimet që i kishte vendosur vetë.
“Lajçak më ka dërguar shkresën mua sepse vazhdimisht komunikon me mua. Por kësaj radhe mendoj që ai i ka shkelur parimet që ai i ka vendosur vetë sepse është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa dakordim parapake me palët dhe është munduar që të përcaktoj agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021 që as një temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve,”-shtoi Bislimi.