
PORT-AU-PRINCE- Një gjykatës në Haiti, përgjegjës për hetimin e vrasjes së presidentit të Haitit, Jovenel Moise, në korrik të vitit 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj të vesë së tij, Martine Moise, ish-kryeministrit Claude Joseph dhe ish-komandantit të Policisë Kombëtare, Leon Charles.
Aktakuzat pritet të destabilizojnë më tej Haitin, vend që aktualisht po lufton me rritjen e dhunës së bandave. Përveç kësaj, në vend kanë nisur një valë protestash të dhunshme që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit aktual Ariel Henry. Dhjetra të dyshuar u paditën në raportin 122 faqesh të lëshuar nga Walther Wesser Voltaire, i cili është gjyqtari i pestë që drejton procesin pasi kolegët e tij u tërhoqën nga frika se mos vriteshin.
Charles, i cili ishte komandant i policisë në kohën e vrasjes së presidentit Moise dhe tani shërben si përfaqësues i përhershëm i Haitit në Organizatën e Shteteve Amerikane, ngarkohet me akuzat më të rënda nga gjithë të tjerët: vrasje, vrasje në tentativë, posedim dhe mbajtje ilegale e armëve, konspiracion kundër sigurisë së brendshme të shtetit, dhe shoqëri kriminale. Ndërkohë, ish-kryeministri Joseph dhe bashkëshortja e presidentit të vrarë, e cila ishte plagosur gjatë sulmit, akuzohen për bashkëfajësi.
Ish-kryeministri Joseph ndau një deklaratë me agjencinë AP duke e akuzuar kryeministrin e tanishëm, Henry, për “minimin” e hetimeve.
“Henry... po e bën puç klasik. Ata dështuan që të na vrisnin mua dhe Martine Moise-n më 7 korrik 2021, tani po e përdorin sistemin haitian të drejtësisë për ta çuar përpara agjendën e tyre makiaveliste,” – tha ai.
Të tjerët që përballen me akuza duke përfshirë vrasjen janë Christian Emmanuel Sanon, një pastor nga Haiti, i cili e përfytyron veten si presidenti i ardhshëm i Haitit. Presidenti Moise, 53 vjeç, u vra vrarë në rezidencën e tij më 7 korrik 2021. Gjatë atentatit, gruaja e presidentit, Martine Moise u plagos gjatë sulmit dhe më pas u largua për t'u trajtuar në SHBA. Moise ka qenë president i Haitit - vendit më të varfër në dy Amerikat - qysh në vitin 2017. Para se të vritej, ai akuzohej për korrupsion dhe ishte sfiduar nga disa protesta anti-qeveritare./ZËRI