ITALI- Autoritetet shqiptare po kërkonin prej kohësh një 32-vjeçar italian, i cili është arrestuar nga policia italiane në një hotel në Fondi, në provincën e Latinës, me qëllim eksratdimin drejt Shqipërisë.
Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për një 32-vjeçar, i cili banonte në zonën e Napolit, ndaj të cilit ishte lëshuar një kërkesë arrestimi me qëllim ekstradimi nga autoritetet gjyqësore shqiptare.
Operacioni u krye nga efektivët e Zyrës së Komisionerit të Sigurisë Publike në Fondi, gjatë kontrolleve rutinë të personave të regjistruar në strukturat akomoduese.
Prania e të kërkuarit u zbulua përmes sistemit të kontrollit të klientëve të hotelit. Pas sinjalizimit, informacioni iu përcoll Sallës Operative, e cila dërgoi menjëherë patrullat në vendngjarje.
Policia konfirmoi praninë e personit të kërkuar dhe e shoqëroi atë në komisariat për verifikimet e nevojshme. Pas kontrolleve në bazat e të dhënave të Interpolit, autoritetet konfirmuan vlefshmërinë e masës së sigurisë të lëshuar nga drejtësia shqiptare.
Akuzat në Shqipëri
Sipas dosjes së autoriteteve shqiptare, 32-vjeçari dyshohet se është përfshirë në shmangie detyrimesh tatimore të lidhura me aktivitetin e tij tregtar në Shqipëri. Bëhet fjalë për një shumë taksash në vlerën prej afërsisht 150,000 eurosh.
32-vjeçari kishte në pronësi një fabrikë këpucësh në vend, ndërsa ndaj tij ishte lëshuar një masë sigurie në kuadër të një procedimi penal ende në zhvillim.
Pas arrestimit, shtetasi italian u transferua në burgun e Latinës, ku do të qëndrojë në dispozicion të Gjykatës së Apelit kompetente për procedurat e ekstradimit.
Ndërkohë, brenda 96 orëve Gjykata duhet të shqyrtojë masën dhe të vendosë për kërkesën për ekstradim të bërë nga autoritetet shqiptare./ZËRI