Bota

Gafa e Trump: Orban është lideri i Turqisë

Ish-presidenti amerikan Donald Trump shpesh ka kritikuar kreun aktual të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden për gafat. Por, një gafë jo të vogël, ai e bëri edhe vetë, duke u shprehur se Orban është president i Turqisë.

D.XH
Gafa e Trump: Orban është lideri i Turqisë
Trump dhe Orban

SHBA - Ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, duket se ka ngatërruar liderët e Turqisë dhe Hungarisë, në një fjalim të fushatës në New Hampshire, të hënën.

"Ekziston një njeri i fuqishëm, Viktor Orban, a ka dëgjuar dikush ndonjëherë për të?", tha Trump, duke iu referuar kryeministrit hungarez.

“Orban është ndoshta një nga liderët më të fortë kudo në botë. Ai është lideri i Turqisë”, tha ish-presidenti. Por ndërkohë, presidenti i Turqisë është Recep Tayyip Erdoğan.

Trump shtoi se Orbán ka një luftë me Rusinë. Mirëpo, as Hungaria dhe as Turqia nuk kanë ndonjë konflikt aktualisht me Moskën.

Trump ka lavdëruar më parë Orbanin, i cili kundërshton migrimin dhe të drejtat e LGBTQ, dhe i referohet stilit të tij qeverisës si një "demokraci joliberale". Trump e priti atë në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2019.

Nga ana tjetër, Orbán ishte lideri i parë evropian që miratoi fushatën presidenciale të Trump në vitin 2016 dhe i kërkoi atij të vazhdonte të luftonte, pasi ndaj Trump u ngrit padi penale.

“Kthehu, zoti President. Bëje Amerikën përsëri të madhe dhe na sill paqe”, tha Orbán në një takim të Koalicionit të Veprimit Politik Konservator të SHBA në fillim të këtij viti.

Donald Trump, ish-president amerikan, është kandidati kryesor nga republikanët, për të garuar sërish për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB