Bota

Seanca në OKB/ Përplasja e plotë Osmani-Brnabiç, SHBA thirrje për dorëzimin e terroristëve

SHBA-ja tha se po punon nga afër me Bashkimin Evropian dhe partnerët e NATO-s për të ndihmuar që veriu i Kosovës - i banuar me shumicë serbe - të jetë i qetë.

E.K
Seanca në OKB/ Përplasja e plotë Osmani-Brnabiç, SHBA
Ana Brnabic dhe Vjosa Osmani

OKB- Është shoqëruar me debate të forta mbledhja e Këshillit të Sigurimit në OKB, ku do të miratohej dhe raporti 6 mujor për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova përfaqësohej në këtë seancë nga Vjosa Osmani, ndërsa Serbia nga kryeministrja Ana Brnabiç, e cila mohoi që shteti që përfaqësonte të kishte gisht në sulmin që ndodhi në Veri, ku u vra rreshteri i policisë Afrim Bunjaku. Osmani deklaroi prerë se Serbia nuk do ti marrë territoret e Kosovës, pavarësisht çdo veprimi që ndërmerr.

“Ne duam paqe dhe Serbia e dëshmoi më 24 shtator se do luftë. Por, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, tha Osmani, ndërkohë që shtoi se sulmi synonte destabilizimin e të gjithë Ballkanit, e jo vetëm të Kosovës. Presidentja kosovare tha se grupi që sulmoi në Kosovë, ishte i financuar dhe trajnuar nga vetë Serbia.

“Çfarë dëgjuam nga Serbia sot ishte minimizimi i aktit të agresionit ndaj Kosovës”, tha Osmani, ndërkohë që iu adresoi dhe një mesazh serbëve që jetojnë në Kosovë, që ta trajtojnë këtë vend si shtëpinë e tyre.

“Konfirmoj se jemi të përkushtuar që të bëjmë më shumë për serbët në Kosovë. Por, ne nuk do t’i japim Serbisë instrumente përmes së cilave ata mund të shkatërrojnë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë të tentojnë të shkatërrojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”, tha Osmani, mirëpo në këtë pikë Brnabiç pretendoi të kundërtën. Sipas kryeministres serbe vetëm nga Maji i këtij viti dhe deri tani 2 mijë familje nga komunat me shumicë serbe kanë braktisur Kosovën. Sipas saj këta qytetarë janë vendosur në Serbinë qëndrore, pas situatës konfliktualenë veri.

Sa i takon dialogut, Osmani tha se Kosova nujk do të heqë kurrë dorë, mirëpo sipas Brnabiç, Prishtina zyrtare nuk i ka zbatuar shumë prej marrëveshjeve.

“Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga dialogu si mënyrë për të zgjedhur dallimet mes nesh. Nuk duhet të lëmë propagandën të fitojë. Ne duhet të luftojmë për të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë që mund të dëshmohet dhe ajo është se Kosova ka qenë viktimë e një akti agresioni nga Serbia, se Serbia po terrorizon serbët që jetojnë në Kosovë për hir të ndalimit të integrimit të tyre në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës;

se Serbia dëshiron territorin e Kosovës të cilin nuk do ta marrë kurrë; që Kosova është pala konstruktive në dialog me historikun e zbatimit të shumicës dërrmuese të angazhimeve të saj, dhe se lista e moszbatimit nga Serbia është aq e gjatë saqë do të na duheshin shumë e shumë orë për ta diskutuar atë; se ne duam një zbatim të plotë dhe të shpejtë të tërësisë së Marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit në mënyrë të drejtë dhe të ekuilibruar; që ndërsa ishim të përkushtuar për bisedime paqësore me Serbinë, ata përdorën forcë; që ne duam drejtësi dhe llogari, dhe Serbia do mohim dhe mosndëshkim; se ne duam paqe dhe Serbia më 24 shtator ka treguar që fatkeqësisht do luftë, por ne nuk do t’i lëmë ta kenë.

Siç e dimë të gjithë, demokracia dhe liria mbizotërojnë gjithmonë sepse nuk ka asgjë që mund t’i pengojë një kombi liridashës. Sepse sado të vështira të jenë pengesat, sado e vështirë të jetë rruga, sado e dhimbshme të jetë sakrifica, populli i Kosovës kurrë nuk do të heqë dorë nga liria e tij”, tha presidentja e Kosovës.

Ndërkohë sa i përket sulmit të 24 Shtatorit, Ana Brnabiç, tha se hetimet do të tregojnë se dy nga tre sulmuesit serbë që u vranë gjatë përleshjeve, janë “vrarë pasi janë dorëzuar".

“Beogradi ose forcat e sigurisë, strukturat e sigurisë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmitë te komuniteti ndërkombëtar për të vërtetuar këtë”, tha ajo, duke thënë se ngjarjet në Banjskë janë “pasojë logjike e terrorit që Prishtina ka zbatuar ndaj serbëve”.

Brnabiç, tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kusht për zbatimin e marrëveshjeve të tjera nga Serbia.

“Asociacioni është një element i pashmangshëm për zbatimin e çdo marrëveshjeje tjetër”, tha ajo.

Kosova, sipas saj ka tri mesazhe për serbët dhe komunitetin ndërkombëtar. Mesazhi i parë, është që serbët që janë larguar nga Kosova pas luftës më 1999 “nuk janë të mirëpritur” që të kthehen. Mesazhi i dytë, serbët që jetojnë në Kosovë “duhet të largohen” dhe mesazhi i tretë, “marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen”.

Sipas Brnabiçit, që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pushtetin dy vjet më parë, “11 për qind e serbëve janë larguar nga komunat” në veri të Kosovës.

 

Ndërkaq, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB, Robert Wood, tha se “duhet të ketë përgjegjësi të plotë” në bazë të ligjit për personat e përfshirë në sulm.

“Personat që janë larguar për në një shtet të tretë duhet të ekstradohen dhe ndiqen penalisht”, tha përfaqësuesi i SHBA-së.

SHBA-ja tha se po punon nga afër me Bashkimin Evropian dhe partnerët e NATO-s për të ndihmuar që veriu i Kosovës - i banuar me shumicë serbe - të jetë i qetë. Uashingtoni u bëri thirrje palëve që të kthehen në dialog, të përgatitur "që të ndërmarrin hapa konkretë përpara"./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB