
ITALI- Gazetarët e RAI-t dolën sot në një grevë njëditore në shenjë proteste ndaj shkurtimeve buxhetore, censurës që ata pretendojnë se po ushtrohet ndaj tyre dhe 'represionit mediat', pre e të cilit kanë rënë për shkak të kryeministres Giorgia Meloni. Sipas tyre, të gjitha lëvizjet e bëra deri më tani, të lidhura me ngrirjen e punësimeve, shkarkimet dhe riorganizimin e stafit, kanë si synim që RAI të bëhet "megafon" i qeverisë.
Kompania RAI, e cila kontrollon të tre kanalet televizive publike në Itali, në përgjigje të grevës njoftoi se nuk vë në dyshim asnjë të drejtë apo pretendim të stafit aktual, duke shtuar se edhe ata vetë janë të përkushtuar për mbrojtjen dhe lirinë e shprehjes. Greva vjen vetëm disa ditë pasi OJQ-ja ndërkombëtare "Reporterët pa Kufi (RSF)" uli Italinë me pesë vende në indeksin e saj vjetor të lirisë së shtypit. Tani, vendi është i 46 nga 180 vende, e konsiderohet me probleme, njëjtë si Polonia apo dhe Hungaria.
RSF citoi gjithashtu raporte për blerjen e një agjencie tjetër italiane të lajmeve, "AGI", nga ligjvënësit e partisë Liga, partner në koalicion me qeverinë e krahut të djathtë të Melonit, e cila tashmë kontrollon tre të përditshme konservatore. RAI kohët e fundit u përfshi në polemika mbi censurën e pretenduar kur anuloi papritur një monolog të planifikuar nga një shkrimtar antifashist që ishte planifikuar të transmetohej më 25 prill, kur Italia feston Ditën e Çlirimit nga Fashizmi.
Monologu ishte shumë kritik ndaj Melonit, partia e të cilës i ka rrënjët nga lëvizja neofashiste italiane. Por pretendimet u hodhën poshtë shpejt, pasi RAI njoftoi se e kishte anuluar transmetimin e monologut për arsye financiare./ZËRI