
PARIS- 74-vjeçari Joel Le Squarnec, një ish-kirurg në Francë, i akuzuar për rastin më të rëndë të pedofilisë në historinë e vendit, pritet të dënohet me 20 vjet burg. Gjyqi 3-mujor që është mbajtur në Vannes, Brittany, ka nxjerrë në pah 111 përdhunime dhe 189 sulme seksuale të kryera midis viteve 1989 dhe 2014, kryesisht ndaj fëmijëve nën moshën 15 vjeç.
Sulmet ndodhën në të paktën një duzinë spitalesh, teksa shumë prej viktimave ishin nën anestezi ose duke u rikuperuar nga operacioni që kishte bërë vetë mjeku. Vetë mjeku i ka pranuar në gjykatë krimet, duke u shprehur: Isha një kirurg që shfrytëzova prestigjin që më jepte detyra për të abuzuar me fëmijët - nuk e mohoj. Nuk po kërkoj asnjë zbutje të dënimit nga gjykata.
Vlerësimet psikiatrike e përshkruan atë gjithashtu si "jashtëzakonisht të rrezikshëm".
Megjithatë, rasti nxori në dritë boshllëqe dhe neglizhencë të mëdha në sistemin francez të kujdesit shëndetësor. Pavarësisht dënimit të tij në vitin 2005 për posedim të materialeve intime me fëmijë, dhe pas një paralajmërimi nga FBI - Le Squarnec ia hodhi vetëm me një dënim me kusht. Por kurrë nuk iu ndalua që të punonte me të mitur. Ai vazhdoi të ishte i punësuar në spitale publike dhe private deri kur doli në pension në vitin 2017.
Drejtorët dhe mjekët e spitaleve dëshmuan në gjykatë se ose e kishin injoruar sjelljen e tij, ose nuk ishin përkushtuar mjaftueshëm që të vërtetonin dyshimet që kishin ngritur ndaj tij. Drejtoresha e spitalit në Sonjac, Michele Kals, tha se ishte në dijeni të dënimit të tij, por e punësoi duke u shprehur para togave të zeza: Kishim nevojë për kirurgë!
Po ashtu, shtoi se nuk kishte asnjë udhëzim zyrtar që të mos e punësonte mjetin.
Psikiatri Thierry Bonvallot e quajti rastin një "fiasko mjekësore", ndërsa kreu i Shoqatës Mjekësore në Charente-Maritime tha se "me përvojën e sotme" do të ishin marrë vendime të tjera. Le Squarnec aktualisht po vuan një dënim me 15 vjet burg që nga viti 2020 për katër raste përdhunimi të të miturve, por pritet që dënimit të tij fillestar t'i shtohen edhe 20 vite heqje lirie për akuzat e tjera që janë ngritur ndaj tij.
Jashtë gjykatës, rreth 20 viktima dhe të afërmit e tyre protestuan kundër "heshtjes së politikës" lidhur me këtë rast, duke kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor.
“Është e pakonceptueshme që ky gjyq i shekullit të mos jetë një pikë kthese për qeverinë dhe shoqërinë,”- thanë ata. Manon Lemoine, një viktimat që u abuzua nga mjeku në moshën 11-vjeçare, tha: Ata përpiqen ta paraqesin atë si një përbindësh, por përbindëshi i vërtetë është shoqëria që e krijoi dhe e la të vazhdonte./ZËRI