
LONDËR- Avokatët e qeverisë amerikane kanë dalë sot para një gjykate në Londër për të listuar arsyetimet se përse Julian Assange duhet të përballet me akuza për spiunazh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në gjyqin e sotëm mungon vetë Assange, i cili pretenton se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.
Stella Assange, gruaja e tij, tha për mediat e huaja se Julian kishte dashur të merrte pjesë, por "nuk ishte në gjendje të mirë".
52-vjeçari australian është paditur për 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për keqpërdorim të të dhënave dhe publikimin e dokumenteve të klasifikuara amerikane në uebsajtin e tij pothuajse 15 vjet më parë. Sipas hetuesëve amerikanë, Assange inkurajoi dhe ndihmoi analisten e inteligjencës së Ushtrisë Amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet diplomatike dhe dosjet ushtarake që ëikiLeaks publikoi më vonë, duke vënë në rrezik jetë qytetarësh amerikanë.
Por mbështetësit e Assange pretendojnë se ai ka kryer detyrën e tij si gazetar, duke zbuluar se çfarë po ndodhte me ushtrinë amerikane në Irak dhe në Afganistan. Madje pretendojnë se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht dhe Assange nuk do të gjykohet drejtë në SHBA, ku rrezikon të dënohet me 175 vjet burg nëse shpallet fajtor. Megjithatë autoritetet amerikane pretendojnë se dënimi ka të ngjarë të jetë shumë më i shkurtër.
Problemet ligjore të Assange filluan në vitin 2010, kur ai u arrestua në Londër me kërkesë të Suedisë, vend i cili donte që ta merrte në pyetje lidhur me akuzat për përdhunim dhe sulme seksuale të bëra nga dy gra. Në vitin 2012, Assange u dorëzua me kusht dhe kërkoi strehim brenda ambasadës së Ekuadorit në Britaninë e Madhe. Por marrëdhëniet mes Assange dhe mikpritësve të tij përfundimisht u përkeqësuan dhe ai u dëbua nga ambasada në prill 2019. Policia britanike e arrestoi menjëherë dhe e burgosi në vitin 2012. Pas arrestimit, në vitin 2019, Suedia hoqi dorë nga hetimet për krimet seksuale me pretendimin se kishte kaluar shumë kohë.
Më pas, në vitin 2021, për Assange nisi një tjetër valë gjyqesh. Një gjykatës refuzoi kërkesën e SHBA për ekstradim me arsyetimin se Assange kishte të ngjarë të vriste veten nëse mbahej në kushtet e burgjeve britanike. Por Gjykatat e Lartë e rrëzoi vendimin me pretendimin se kishin marrë garanci nga SHBA për trajtimin e tij, duke nënshkruar kështu një urdhër ekstradimi ndaj tij në vitin 2022.
Ndërkohë, parlamenti australian javën e kaluar bëri thirrje që Assange të lejohej të kthehej në atdheun e tij. Nëse gjyqtarët Victoria Sharp dhe Jeremy Johnson vendosin kundër Assange, ai mund t'i kërkojë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që të bllokojë ekstradimin e tij – megjithëse mbështetësit shqetësohen se ai mund të futet në një aeroplan për në SHBA përpara se të ndodhë apelimi. Gjithçka duket e mbyllur pasi qeveria britanike ka nënshkruar tashmë një urdhër ekstradimi ndaj tij./ZËRI