
REJKJAVIK - Kryeministrja e Islandës dhe gratë në të gjithë vendin ishullor hynë në grevë të martën për t'i dhënë fund pagave të pabarabarta mes burrave e grave dhe dhunës me bazë gjinore.
Kryeministrja islandeze, Katrin Jakobsdottir tha se do të qëndronte në shtëpi, si pjesë e ditës së pushimit të grave dhe priste që gratë e tjera në kabinetin e saj të bënin të njëjtën gjë.
“Ne nuk i kemi arritur ende objektivat tona për barazi të plotë gjinore dhe ne ende po trajtojmë hendekun e pagave me bazë gjinore, i cili është i papranueshëm në vitin 2023. Ne ende po trajtojmë dhunën me bazë gjinore, e cila ka qenë një prioritet për ta trajtuar nën qeverisjen time”, tha ajo për portalin islandez, MBL.is.
Organizatorët u bënë thirrje grave që të refuzojnë punën e keqpaguar dhe të papaguar, përfshirë punët e shtëpisë, gjatë grevës njëditore.
Shkollat dhe sistemi shëndetësor, të cilat kanë fuqi punëtore të dominuar nga femrat, organizuan protesta të fuqishme.
Protesta e sotme cilësohet si më e madhja, që nga demonstrata e parë feministe në Islandë më 24 tetor 1975, kur 90% e grave refuzuan të punojnë, të pastrojnë ose të kujdesen për fëmijët, për të shprehur zemërimin ndaj diskriminimit në vendin e punës. Një vit më pas, Islanda miratoi një ligj, që garantonte të drejta të barabarta, pavarësisht nga gjinia.
Greva frymëzoi protesta të ngjashme në vende të tjera, përfshirë Poloninë, ku gratë bojkotuan punët dhe mësimet në vitin 2016, për të protestuar kundër ndalimit të abortit.
Islanda, një ishull me rreth 340 000 njerëz në ekstremin e veriut të Europës, është renditur si vendi më i barabartë gjinor në botë 14 vjet me radhë nga Forumi Ekonomik Botëror, i cili mat pagat, kujdesin shëndetësor, arsimor dhe faktorë të tjerë. Asnjë vend nuk ka arritur barazi të plotë dhe një hendek në paga ekziston edhe në Islandë./Zëri.ai/