
BRITANI E MADHE- Aktivistja Greta Thunberg është paraqitur në Gjykatën e Londrës, e akuzuar për shkelje të rendit publik. Thunberg u paraqit në seancë së bashku me katër protestues të tjerë dhe deklaroi se është e pafajshme. Aktivistja 20-vjeçare u lirua me kusht, por nëse shpallet fajtore, ajo mund të gjobitet me 2500 paund. Teksa ajo u largua nga ndërtesa e gjykatës një grup i vogël demonstruesish të klimës brohoritën duke mbështetur aktivisten: Protesta ndaj klimës nuk është krim.
Aktivistja mjedisore u arrestua në 17 tetor ndërsa protestonte për një konferencë të madhe të industrisë së naftës dhe gazit, Forumin e Inteligjencës Energjitike, që po zhvillohej brenda hotelit. Protestuesti penguan hyrjen e hotelit InterContinental në Mayfair.
Thunberg u bë fytyra e aktivizmit të klimës pasi filloi të organizonte protesta javore në moshën 15-vjeçare në Suedi në vitin 2018. Ajo tani udhëton nëpër botë duke iu drejtuar turmave në marshime dhe protesta. Para arrestimit të saj në Britani, ajo këtë vit është ndaluar nga policia ose është larguar nga protestat në Suedi, Norvegji dhe Gjermani.