
SOMALI - Grupi i armatosur islamik somalez al-Shabab ka marrë peng një helikopter të Kombeve të Bashkuara, së bashku me rreth tetë persona, pasagjerë dhe ekuipazh, thanë burimet lokale për BBC. Helikopteri u ul në territorin e zotëruar nga grupi në Somalinë qendrore.
Misioni i OKB-së në Somali (Unsom) konfirmoi se ka një incident aviacioni, që përfshin një helikopter të kontraktuar nga OKB-ja, që kryente një evakuim mjekësor. Misioni nuk përmendi al-Shababin, por tha se ka përpjekje për të reaguar për situatën.
Një reagim i OKB-së mbi incidentin, raportuar nga agjencia e lajmeve AFP, thotë se helikopteri u rrëzua rreth 70 km (43 milje) në juglindje të Dhusamarebit dhe asnjë personel i OKB-së nuk ishte në bord. Personeli ishte kontraktues i palës së tretë, thuhet në raport.
Kombësia e personave që ndodheshin në bord nuk është specifikuar, as numri i saktë i tyre. Mësohet se një pasagjer është vrarë dhe dy të tjerë janë larguar. Al-Shabab kontrollon pjesë të mëdha të Somalisë jugore dhe qendrore. Grupi është i lidhur me Al-Kaedën dhe ka zhvilluar një kryengritje brutale për gati 20 vjet. Sekuestrimi i helikopterit u konfirmua për BBC nga Ministri i Sigurisë i rajonit Galmudug, Mohamed Abdi Adan. Qeveria somaleze muajt e fundit ka intensifikuar luftën e saj kundër grupit të lidhur me Al-Kaedën./ZËRI/