
KOSOVË- Prishtina ditët e fundit po përballet me një situatë të paprecedentë, me rritje të numrit të veprave penale dhe përplasjeve mes bandave. Nga këto përplasje humbi jetën dhe një grua e pafajshme, e cila ishte duke kaluar në rrugën ku bandat kriminale u përplasen me njëra-tjetrën. Bëhet fjalë për Zejnie Gashi, 48-vjeçaren që ndodhi në vendin e gabuar në kohën e gabuar, ku u përball me plumbat që nuk ishin për të.
Asaj iu dha lamtumira e fundit një ditë më parë ndërsa familjarët kërkojnë që institucionet e Kosovës të veprojnë. Konflikti nisi mes Fitim Dodës i njohur me nofkën “Cuci” dhe vëllezërve Ahmet e Naim Berisha në lagjen Kolovica, ku mbet i vrarë gjithashtu edhe 30 vjeçari Egzon Haziri nga Podujeva.
Policia e Kosovës ka shpërndarë dhe fotot e katër personave të shpallur në kërkim, për të cilët thekson se janë me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe të akuzuar për vepra të rënda penale. Bëhet fjalë për: Fitim Doda, Arjan Sijarina, Ahmet Berisha dhe Naim Berisha.




Këta persona janë të përfshirë në disa ngjarje kriminale të regjistruara në Kosovë. Një prej të cilëve ajo e 4 gushtit e vitit 2023, ku nga të shtënat me armë në lokalin Bon Vivant në mes grupeve mafioze mbeti pa shenja jete Kastriot Ramadani, ndërsa 17 të tjerë të plagosur.
Alarmin për situatën e kriminalitetit në Prishtinë e ka dhënë dhe kryekomunari Përparim Rama. Sipas tij çdo e dyta ose e treta veturë që kalon nëpër rrugët e kryeqytetit është e armatosur. Kjo situatë ka ngritur në këmbë Policinë, e cila ka shtuar kontrollet, por ende nuk ka një bilanc të saktë nga Ministria e Brendshme se si paraqitet situata në “luftën” tashmë të hapur mes bandave dhe shtetit në Kosovë./ZËRI