Bota

Përdhunimi i 23-vjeçares në Pejë, pranga babait të ish-deputetit

Njëri nga të arrestuarit për përdhunimin e 23-vjeçares me probleme të shëndetit mendor në Pejë është babai i Veton Berishës, ish-deputet i parlamentit të Kosovës.

D.XH
Përdhunimi i 23-vjeçares në Pejë, pranga babait të
Ish-deputeti Veton Berisha

PEJË – Disa ditë më parë, në media u raportua se një vajzë e moshës 23-vjeçare, me probleme të shëndetit mendor, me nënshtetësi të Shqipërisë, dyshohet se është përdhunuar në Pejë të Kosovës. 23-vjeçarja është gjetur në gjendje të rënduar emocionale dhe është dërguar në emergjencë për kontroll mjekësor.

E reja nga Shqipëria më pas është dërguar për ekzaminim edhe në Institutin Mjeko-Ligjor. Prokuroria e Pejës ka thënë se në lidhje me këtë rast, janë vënë në pranga 2 persona. "Pas një pune intensive operative nga Policia e Kosovës, me autorizimet e Prokurorit të Shtetit, sot janë arrestuar dy persona. Të njëjtët persona janë ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit për veprën penale “Dhunimi”. Gjithashtu Prokurori ka urdhëruar që të sekuestrohet makina, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale dhe të sigurohet vendi i ngjarjes, ku dyshohet se është kryer kjo vepër penale”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.

Mediat në Kosovë bëjnë me dije se një nga të arrestuarit është babai i ish-deputetit të parlamentit të Kosovës, Veton Berishës. Ish-deputeti nga radhët e komunitetit egjiptian në parlamentin e Kosovës ka thënë se është njoftuar nga fqinjët, për arrestimin e babait të tij. Ai shton se nuk ka dijeni më tepër se çfarë ka ndodhur. “Unë jam në Prishtinë. Më kanë lajmëruar fqinjët për këtë ngjarje. Atje në Pejë nuk kam asnjë njeri. Nëna ime është këtu në Prishtinë dhe babai është në Pejë. Babai im është 65-66 vjeç”, ka thënë ish-deputeti.

Personat e dyshuar janë ende nën hetim nga ana e Prokurorisë dhe janë të pafajshëm, deri në një vendim përfundimtar të drejtësisë. /ZËRI/

Poll

MOS HUMB