SERBI- Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka folur këtë të hënë për sulmin terrorist në veri të Kosovës, akuzat për përfshirjen e ushtrisë dhe qeverisë serbe dhe “fatin” e Milan Radoiçiç-it, i përfshirë në sulmin ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku. Në një intervistë në CNN, Vuçiç deklaroi se Serbia nuk dëshiron “luftë” me NATO-n ndërsa shtoi se nuk ka shtim të ushtrisë në veri.
Në intervistën me gazetaren Christiane Amanpour, Vuçiç theksoi se Serbia i vlerëson raportet që vijnë nga Shtëpia e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe institucione të tjera amerikane, por që këtë herë nuk janë të sakta.
Lidhur me kërkesën e SHBA-së që Serbia të tërheqë ushtrinë e saj nga kufiri me Kosovën, ai tha se nuk ka arsye për t'u shqetësim sepse Serbia nuk ka nevojë për luftë me NATO-n. Përkundrazi, sipas tij Serbia dëshironte të shihte një prani më të fortë të KFOR-it në veri të Kosovës.
“Një vit më parë kishim 14 mijë persona në linjën administrative, pak ditë më parë më pak se 8400 dhe sot 4400, që është një numër i rregullt”, tha ai.
Ai tha se Serbia gjithmonë dëgjonte kur partnerët e saj thoshin se duhej të de-përshkallëzohej.
"Nuk ka arsye për shqetësim më të madh, ne nuk kemi nevojë për luftë me NATO-n, përkundrazi, ne duam një prani më të fortë të KFOR-it, veçanërisht në veri të Kosovës. Kjo do të ishte një mënyrë për të ndihmuar sigurinë dhe sigurinë e serbëve, veçanërisht në veri”, ka theksuar Vuçiç.
I pyetur në lidhje me akuzat se Milan Radoiçiç pranoi se kishte marrë pjesë në sulmin terrorist të 24 shtatorit, Vuçiç u përgjigj se prokuroria duhet të bëjë punën e saj. Por shtoi se problemi nuk qëndron këtu, por sipas tij ata kanë dashur të mbroheshin nga të shtënat.
“Problemi është se serbët donin të mbroheshin. Unë nuk do ta mbroj vrasjen e një polici shqiptar, e dënoj, por them se serbët po arrestoheshin pa akuza, po dëboheshin nga shtëpitë e tyre, të cilat u kontrolluan. Asgjë nga këto nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe të drejtën ndërkombëtare. Bashkësia e komunave me shumicë serbe nuk është formuar as pas 10 vitesh sepse regjimi shqiptar në Prishtinë nuk e ka dashur atë. Njerëzit kanë dashur të mbrohen", tha Vuçiç.
Vuçiç tha se Serbia është e gatshme për negociata me Kosovën por duhet të themelohet Assosacioni.
"Ju duhet ta kuptoni, dhe BE-ja e ka konfirmuar këtë, se Prishtina nuk është e gatshme të themelojë CSM-në, që është pengesa më e madhe. Ata duan të vazhdojnë me spastrimin gradual etnik të serbëve, në radhë të parë në veri të Kosovës", theksoi ai./Zëri