
ITALI- Një tërmet është ndjerë mbrëmjen e djeshme në Napoli, me magnitudë 4.0 ballë.
Kështu mësohet nga Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, sipas të cilit tërmeti ka ndodhur në orën 22:08, në një thellësi prej 3 kilometrash.
Tërmeti është ndjerë dukshëm në zona të ndryshme të qytetit, si në zonën kodrinore të Vomero-s dhe në breg të detit, në Posillipo dhe në zonat e qendrës pranë Piazza del Plebiscito.
Në zonën e Via Pisciarelli, epiqendra e tërmetit, në kufirin midis komunës Pozzuoli dhe Agnano, një fshat i Napolit, shumë njerëz e kaluan natën në rrugë. Disa kanë marrë guximin dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre, por shumë kanë ende frikë.
Ka njerëz, si një çift të moshuarish, që presin me valixhet në trotuar: “tani na vijnë të afërmit, do na çojnë në shtëpinë e tyre”, thonë ata. Ndërkohë, kontrollet e stabilitetit vazhdojnë në ndërtesa, publike dhe private, si dhe në disa fabrika.

Tërmeti shkaktoi shumë frikë në zonën e epiqendrës, ku ranë disa rrënoja, veçanërisht në zonën e Agnano-s, por deri më tani nuk ka dëme të konsiderueshme. Megjithatë, njerëzit janë derdhur në rrugë dhe nuk duan të kthehen në shtëpitë e tyre. Në numrin e zjarrfikëssve të Napolit nuk pushonin thirrjet telefonike të qindra qytetarëve të frikësuar. Raportime të shumta, shumë thirrën vetëm sepse ishin tronditur nga frika.

Jo vetëm frika, por edhe acarimi i përzier me zemërim tek banorët e Pozzuolit që gjenden në rrugë pas tërmetit që tronditi këtë komunë të Campi Flegrei në mbrëmje. "Ata nuk po na thonë të vërtetën," thotë një grua, duke argumentuar se vlerësimi me magnitudë 4.0 është një nënvlerësim. “Më dukej sikur shtëpia po rrëzohej”, thotë një tjetër.
Madje edhe në Facebook, në profilin e Bashkisë dhe të kryebashkiakut Gigi Manzoni, ka komente që nxjerrin në pah dekurajimin dhe ankthin e njerëzve që prej kohësh po pëballen me lëkundje sizmike.
"Ishte një tërmet sipërfaqësor, njerëzit e ndjenë mirë sidomos në zonën e Agnano-s, më afër epiqendrës. Ne presim edhe ngjarje të tjera, por përtej disa rrënojave të rëna, aktualisht nuk duket të ketë ndonjë dëmtim të rëndësishëm për strukturat”. Ky është ekzaminimi i parë nga drejtori i Observatorit Vezuvian, Mauro Di Vito, i cili foli me mikrofonat e Canale 21./Zëri.ai