
FRANCË- Një adoleshent 17-vjeçar britanik nga Oldham, i cili u zhduk në Spanjë në vitin 2017, është gjetur në Francë. Alex Batty u gjet në qytetin Revel, në lindje të Toulouse, herët në mëngjes. Zyra e prokurorit në Toulouse i tha BBC-së se familja kishte konfirmuar identitetin e adoleshentit.
Alex ishte zhdukur prej gjashtë vitesh, pasi kishte shkuar me pushime në Francë me mamanë dhe gjyshin e tij. Nëna dhe gjyshi, të cilët nuk kanë kujdestarinë prindërore të Alexit, ende nuk janë gjetur. Alex aktualisht është marrë nën kujdes nga shërbimet sociale, në pritje të mbërritjes së policisë britanike dhe stafit konsullor, me qëllim që ta kthejnë atë në Angli.
Një burim policor i tha BBC News se djali ishte dërguar në një stacion policie nga një shofer i shqetësuar, i cili e kishte parë atë duke ecur përgjatë një rruge në ultësirën e Pirenejve. Djali tha se kishte qenë në Francë për dy vjet, tha burimi policor. Ai kishte jetuar në luginat e largëta të Pirenejt, duke udhëtuar nga një vend në tjetrin. Zona në ultësirat e Pirenej është e njohur për faktin se ajo tërheq njerëz, që duan mënyra jetese alternative.
Alex nuk ka thënë ende se ku është nëna e tij apo saktësisht se ku kishte jetuar në Pirenej, tha zyra e prokurorit për BBC. Gjyshja e tij - dhe kujdestarja ligjore - Susan Caruana i tha gazetës The Sun të enjten se kishte mundur të fliste me Alex. "Jam shumë e lumtur. Kam folur me të dhe ai është mirë," tha ajo.
Zonja Caruana i tha BBC në vitin 2018 se ajo besonte se nëna e Alex, Melanie Batty dhe gjyshi David Batty e kishin marrë atë për të jetuar me një ‘komunitet shpirtëror’ në Marok. Ajo tha se në atë kohë ata po kërkonin një mënyrë jetese alternative dhe nuk donin që Alex të shkonte në shkollë. Melanie dhe David Batty u larguan nga Greater Manchester me Alex për një pushim njëjavor në Marbella në Spanjë më 30 shtator 2017.

Ai u pa për herë të fundit në Portin e Malagës më 8 tetor, ditën kur pritej të ktheheshin. Një gazetar vendas i tha BBC se një shofer transporti kishte parë djalin, duke ecur përgjatë rrugës duke mbajtur një çantë shpine dhe skateboard. Personi në fjalë deklaroi se kishte ndjerë keqardhje për djaloshin dhe e kishte marrë në mjet. "Ata kaluan tre orë së bashku në makinë dhe djali i kishte treguar historinë e tij", tha Remi Buhagiar nga gazeta La Depeche. Ai tha se kishte jetuar në vende të ndryshme. Alex kishte ecur nëpër kodra për ditë të tëra, shpjegoi zoti Buhagiar.
Ai e pyeti shoferin nëse mund të t’a merrte telefonin e tij dhe i dërgoi një mesazh në Facebook gjyshes së tij, duke i thënë se ishte mirë dhe donte ta shihte. Shoferi, duke folur për La Depeche, tha se po binte shi i madh kur ai kaloi me makinë pranë Alex në një mbrëmje të vonë. Fabien Accidini tha për gazetën se i kishte dhënë ujë Alexit, pasi ai kishte ecur për disa ditë dhe kishte etje. Ai tha se Alex ishte i trembur në fillim, por pasi iu drejtua në anglisht, ai tha se bëri bisedë me të për rreth 3 orë.
Ai shtoi se plani i Alex kishte qenë të gjente një qytet të madh me një ambasadë për të kërkuar ndihmë, teksa z Accidini kontaktoi autoritetet franceze për ndihmë. Policia britanike është kontaktuar përmes ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Paris. Policia e Manchesterit konfirmoi se është në kontakt me autoritetet franceze. "Ky është një hetim kompleks dhe afatgjatë dhe ne duhet të bëjmë hetime të mëtejshme, si dhe të marrim masat e duhura", tha një zëdhënës./ZËRI/