
MAQEDONI E VERIUT- Është shoqëruar me një incident diplomatik betimi i Presidentes së re të Maqedonisë së Veriut, Gordana Silianovska.
Sipas mediave greke, teksa ajo po bënte betimin, nuk e quajti vendin e saj “Maqedoni e Veriut”, por thjesht “Maqedoni”, duke rrëzuar kështu marrëveshjen e para disa viteve mes dy vendeve fqinje.
Kjo ka revoltuar ambasadoren e Greqisë, Sofia Filippidou e cila në shenjë protestë është larguar nga ceremonia e betimit.
“Vlen të theksohet se në ceremoninë e sotme nuk morën pjesë liderët e vendeve fqinje, Bullgarisë, Serbisë dhe Shqipërisë, për dallim nga ceremonia e fundit e betimit presidencial, ku mori pjesë edhe presidenti bullgar Radomir Radev. Vendet e lartpërmendura pretendojnë se nuk kanë marrë ftesa në kohë”, shkruan Kathimerini.
71-vjeçarja Gordana Silianovska u zgjodh presidente e Maqedonisë së Veriut në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtur të mërkurën, më 8 maj, si kandidate e VMRO-DPMNE-së, duke fituar me një përqindje prej 65% ndaj presidentit aktual të vendit, Stevo Pentarovski.
Paralelisht me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në vend u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare, në të cilat partia opozitare e djathtë VMRO-DPMNE korri një fitore të madhe, duke marrë 58 nga 120 vendet në Parlament.
/ZËRI