
FRANCË- Një gazetare franceze u mbajt gjatë natës dhe u mor në pyetje nga policia në lidhje me një raport të vitit 2021, i cili pretendonte se inteligjenca franceze ishte përdorur nga Egjipti për të vrarë civilë.
Policia thuhet se kontrolloi shtëpinë e Ariane Lavrilleux më 19 shtator dhe më vonë e mori atë në paraburgim.
Avokati i Lavrilleux tha se ajo u mor në pyetje si pjesë e një hetimi për kompromentimin e sigurisë kombëtare.
Ajo u lirua pas një nate në paraburgim.
Katia Roux e Amnesty International kishte thënë se ishte "shumë e shqetësuar" për gazetaren në kohën e arrestimit të saj.
"Të vendosësh në paraburgim një gazetare për kryerjen e detyrës së saj, për më tepër për zbulimin e informacionit me interes publik, mund të jetë një kërcënim për lirinë e shtypit dhe konfidencialitetin e burimeve."
Lavrilleux thuhet se u mor në pyetje nga oficerët e policisë nga shërbimi francez i inteligjencës - Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë e Brendshme, ose DGSI.
Raporti i saj i vitit 2021 përdori dokumente të fshehta të zbuluara për të pretenduar se autoritetet egjiptiane përdorën inteligjencën franceze për të bombarduar dhe vrarë kontrabandistët në kufirin egjiptian-libian midis 2016 dhe 2018.
Sipas raportit, forcat franceze u implikuan në "të paktën 19 bombardime" kundër civilëve.
Ajo u publikua nga Disclose, një faqe interneti franceze e gazetarisë hulumtuese.
Disclose tha se autoritetet franceze nën presidencën e P François Hollande dhe Presidentit Emmanuel Macron ishin "të informuar vazhdimisht" për zhvillimet nga stafi në "disa departamente ushtarake", por se shqetësimet e tyre u injoruan.
Në kohën e publikimit, Disclose pranoi se raporti përfshinte sekrete të sigurisë kombëtare, por tha se po i ndante ato "në emër të një parimi themelor të demokracisë: të drejtën për informacion".
"Nocioni i 'informacionit të klasifikuar' nuk mund të përdoret për të mbrojtur një fushatë të ekzekutimeve arbitrare kundër civilëve," tha Disclose.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) dënoi arrestimin e Lavrilleux, kërkoi që të ndërpriten të gjitha hetimet penale kundër saj dhe tha se policia duhet të mos e pyesë gazetaren në lidhje me burimet e saj./Zëri