Bota

Irani mbyll sërish Ngushticën e Hormuzit, raportohet për sulme ndaj cisternave të naftës

Të paktën një anije është goditur dhe ka pësuar dëme, por nuk raportohet për të plagosur.

l.k
Irani mbyll sërish Ngushticën e Hormuzit, raportohet për sulme
Anijet në Ngushticën e Hormuzit

IRAN- Irani njoftoi të shtunën se ka mbyllur sërish Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës.

Sipas agjencisë iraniane Fars, një zyrtar ushtarak deklaroi se Shtetet e Bashkuara “vazhdojnë të angazhohen në banditizëm dhe pirateri detare”, duke paralajmëruar se situata në ngushticë do të mbetet nën kontroll të rreptë për sa kohë nuk garantohet “liria e plotë e lundrimit”.

Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se të paktën 23 anije janë detyruar të ndryshojnë kurs dhe të kthehen mbrapsht që nga fillimi i bllokadës këtë javë, sipas udhëzimeve amerikane.

Situata është përkeqësuar më tej nga raportimet për incidente të armatosura në zonë. Sipas një zyrtari amerikan të mbrojtjes dhe organizatës britanike për sigurinë detare UKMTO, forcat iraniane kanë qëlluar mbi cisterna nafte në ngushticë.

Sipas Axios, të paktën tre sulme ndaj anijeve tregtare janë regjistruar të shtunën, ndërsa UKMTO raportoi dy incidente të ndara. Të paktën një anije është goditur dhe ka pësuar dëme, por nuk raportohet për të plagosur.

Regjistrimet audio nga incidentet tregojnë se një prej anijeve kishte marrë leje për të hyrë në ngushticë, por më pas është qëlluar, duke u detyruar të tërhiqet. Sipas të dhënave, dy prej anijeve të sulmuara ishin indiane, njëra prej të cilave transportonte rreth 2 milionë fuçi naftë nga Iraku.

Këto zhvillime vijnë vetëm pak orë pasi Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se priste arritjen e një marrëveshjeje me Iranin “brenda një ose dy ditësh”. Ai kishte pohuar më herët se Teherani kishte rënë dakord me disa kushte të SHBA-së, përfshirë ndalimin e përhershëm të pasurimit të uraniumit./ZËRI

Poll

MOS HUMB