
MOSKË - Kandidatit kundër luftës Boris Nadezhdin, i është ndaluar të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të Rusisë muajin e ardhshëm, në një lëvizje që pastron më tej peizazhin politik të vendit, nga kundërshtarët e Vladimir Putinit. Vendimi u mor gjatë një diskutimi të enjten në Komitetin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të Rusisë, organi i ngarkuar me regjistrimin dhe verifikimin e kandidatëve të mundshëm. Sipas KQZ-së, Nadezhdin mblodhi vetëm 95587 nënshkrime legjitime, 5,000 më pak se 100,000 që nevojiten.
Nadezhdin ka kundërshtuar pretendimet e KQZ-së në lidhje me nënshkrimet dhe tha se do të apelojë refuzimin e regjistrimit të tij në Gjykatën e Lartë. Ai tha gjithashtu se do të kundërshtonte rregulloret e komitetit. “Askush nuk ka dyshim se qindra mijëra njerëz kanë nënshkruar vërtet për mua. Nuk ka dyshim për këtë”, tha Nadezhdin pas vendimit. "Ne do të apelojmë rregulloret dhe vetë procedurën e mbledhjes", deklaroi ai.
Por lëvizja tregon se ai do t'i bashkohet një numri aktivistësh kundër luftës, për t'u izoluar nga skena politike e Rusisë, ndërsa Moska përgatitet për zgjedhjet presidenciale, që vëzhguesit ndërkombëtarë i konsiderojnë një formalitet të thjeshtë. Nadezhdin, një ish-deputet i Dumës së Shtetit, i cili synonte të kandidonte si kandidat i pavarur nga partia Nisma Qytetare, ka një qëndrim të vendosur kundër luftës dhe sfidon hapur politikat e Putinit, duke e pozicionuar veten si i vetmi kandidat presidencial i gatshëm për të kundërshtuar hapur pushtimin e Ukrainës.
Mijëra njerëz ishin rreshtuar në qytete anembanë Rusisë dhe gjetkë në Evropë që nga fillimi i janarit për të dhënë nënshkrimet e tyre në mbështetje të Nadezhdin, me vullnetarë që mblidhnin nënshkrimet e emigrantëve në qytete nga Londra dhe Parisi, në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi. Por fushata e tij pati vështirësi, kur grupi i punës i KQZ-së pretendoi se kishte identifikuar mbi 15% të nënshkrimeve të pavlefshme, në dokumentet e nevojshme për të kandiduar për president, duke tejkaluar 5% të lejuar për regjistrim. Nadezhdini argumentoi se i duhej kohë shtesë për të shqyrtuar plotësisht shqetësimet dhe për të përgatitur kundërargumentet e tij.
Të enjten, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov reagoi ndaj vendimit unanim të komisionit, duke thënë se në nënshkrime kishte shumë të meta. “Ka disa kritere që një kandidat duhet të përmbushë. Ajo që dëgjuam sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është se [kishte] një numër të madh të metash në nënshkrime. Prandaj, një kriter i rëndësishëm nuk është përmbushur”, deklaroi ai. Vladimir Putin ka spastruar thuajse totalisht skenën politike nga kundërshtarët e tij realë dhe pritet të ketë përballë kandidatë fiktivë. Ai pritet të rizgjidhet president. /ZËRI/