
JERUZALEM - Ushtria izraelite tha pasditen e së enjtes, më 16 nëntor, se zbuloi një hyrje tuneli të Hamasit dhe një automjet me armë në kompleksin spitalor al-Shifa të Gazës.
“Në spitalin Shifa, trupat e IDF [Forcat e Mbrojtjes së Izraelit] gjetën një hyrje tuneli operacional dhe një automjet që përmbante një numër të madh armësh”, tha ushtria.
IDF bëri publike video dhe fotografi të hyrjes të tunelit dhe armëve, por nuk ka asnjë verifikim të pavarur. IDF tha gjithashtu se kishte gjetur trupin e Yehudit Ueiss, një grua 65-vjeçare e marrë peng nga Hamasi, pranë al-Shifas. Ushtria e Izraelit njoftoi se trupi ishte identifikuar nga ekzaminuesit shkencorë mjeko-ligjorë dhe familja ishte informuar.
Ushtria izraelite akuzoi Hamasin po sot në orët e para të ditës për fshehjen e provave, që do të konfirmonin se organizata e kishte përdorur spitalin si qendër komandimi dhe kontrolli – një akuzë që Izraeli e ka bërë shpesh javët e fundit, pasi trupat kanë avancuar më tej në territor.
The IDF says it has uncovered a Hamas tunnel in the Shifa Hospital complex. It publishes a video showing the entrance. pic.twitter.com/sxPeIxFrwe
— Emanuel (Mannie) Fabian (@manniefabian) November 16, 2023
Forcat speciale izraelite u zhvendosën në spital sot herët në mëngjes dhe vazhduan të kontrollonin kompleksin e gjerë në qendër të qytetit të Gazës.
“Është e rëndësishme të theksohet se që nga momenti që Forcat e Mbrojtjes së Izraelit treguan publikisht përdorimin e spitaleve për aktivitet terrorist disa javë më parë, Hamasi ka punuar me këmbëngulje për të fshehur infrastrukturën dhe për të mbuluar provat”, tha një zëdhënës i ushtrisë izraelite.
Hamasi dhe mjekët kanë mohuar me forcë pretendimin se spitali ishte një qendër komandimi dhe Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se ushtria izraelite nuk gjeti asnjë armë në spital. Një mjek britanik që punonte në Al Shifa tha se akuza ishte një arsyetim i çuditshëm.
Spitali Al Shifa është bërë një objektiv kryesor për Izraelin, sepse dominon një sektor të qytetit të Gazës ku ndodhen shumë ndërtesa qeveritare dhe vërtetimi i akuzës se Hamasi e përdori spitalin për të aktivitetet ushtarake do të zbuste akuzat, që janë bërë ndaj shtetit të Izraelit./Zëri.ai/