
IZRAEL- Avionët luftarakë izraelitë vranë një komandant të Hamasit të përfshirë në sulmet e javës së kaluar gjatë një sulmi në një seli operative të përdorur nga militantët gjatë ditës së kaluar. Lajmi u bë me dije këtë të shtunë nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF).
“Gjatë sulmit, avionët luftarakë të IDF-së vranë Merad Abu Merad, i cili ishte kreu i Sistemit Ajror të Hamasit në qytetin e Gazës dhe ishte kryesisht përgjegjës për drejtimin e terroristëve gjatë masakrës të së shtunës”, tha IDF.
IDF tha se avionët e saj luftarakë kryen gjithashtu sulme në shkallë të gjerë në të gjithë Rripin e Gazës të premten kundër dhjetëra objektivave të Hamasit dhe operativëve "Nukhba", të cilët ishin një nga forcat kryesore që shkelën perimetrin e kufirit dhe udhëhoqën infiltrimin në Izrael të shtunën e kaluar.
Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi se sulmet ajrore goditën disa rajone të Gazës të premten dhe në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Ndër zonat e goditura ishin kampi i refugjatëve Al Nuseirat, rajone në Gazën veriore dhe Al Shanti në Gazën perëndimore, tha ministria në një deklaratë të shtunën. Gjithashtu u raportuan bombardime detare përgjatë bregut perëndimor dhe në perëndim të Khan Younis.
Izraeli ka urdhëruar një "rrethim të plotë" të Gazës duke përfshirë ndalimin e furnizimeve me energji elektrike, ushqim, ujë dhe karburant. Po ashtu forcat izraelite kanë bombarduar territorin me popullsicivile në Gaza si hakmarrje për sulmet shkatërruese terroriste të Hamasit të 7 tetorit .
Të paktën 1,900 palestinezë janë vrarë nga bombardimet pothuajse të vazhdueshme në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, duke përfshirë gazetarë, mjekë dhe civilë të tjerë. Para paralajmërimit të evakuimit, më shumë se 400,000 palestinezë ishin zhvendosur brenda vendit, tha OKB në një deklaratë./Zëri.ai