Bota

Izraelitët rrëfejnë ferrin që përjetuan: U mbyllëm në shtëpi, terroristët i binin derës

Banorët e qyteteve izraelite kanë deklaruar se janë ndjerë shumë të frikësuar, teksa militantët 'shëtisnin' në qytete

D.XH
Izraelitët rrëfejnë ferrin që përjetuan: U mbyllëm
Një izraelit, duke parë nga dritarja, pasi militantët e Hamas 'pushtuan' zonën e banuar nga hebrenjtë

IZRAEL- Për orë të tëra, njerëzit në Izrael kanë telefonuar në radaksitë e lajmeve, duke thënë se janë bllokuar në shtëpi, pasi militantët palestinezë hynë në qytetet dhe fshatrat e tyre, në një sulm të madh të befasishëm.

Shumë prej izraelitëve janë fshehur, pasi kanë thënë se kanë dëgjuar të shtëna armësh, ndërsa të tjerët janë ankuar, teksa thanë se nuk mund të gjenin dot të dashurit e tyre.

"Terroristët po përpiqen të hyjnë në shtëpinë time," tha Ayelet Hachim për Channel 12, nga shtëpia e saj në qytetin Kibbutz Be'eri, afër Rripit të Gazës. “I dëgjoj zërat e tyre dhe po i bien derës. Jam me dy fëmijët e mi të vegjël”, deklaroi banorja e qytetit izraelit me zërin duke iu dridhur.

Izraeli u ka bërë thirrje civilëve pranë kufirit që të qëndrojnë në vendet e strehimit. Por në Kibbutz Be'eri, banorët thanë se militantët palestinezë po përpiqeshin të futeshin në shtëpi, edhe në vendet e strehimit. Një banor që jeton në qytet tha për Channel 12: "Ka të shtëna që ndihen në të gjithë vendin, jam në shtëpi dhe i dëgjoj jashtë shtëpisë sime”.  

23-vjeçarja Ella, banore e qytetit Kibutz Be’eri tha se ka dëgjuar se “terroristët janë në strehimore”, duke shtuar se ka dëgjuar breshëri plumbash automatiku. Të gjitha shtëpitë në Izrael janë të detyruara me ligj të kenë strehimore dhe ka gjithashtu strehimore edhe në vende publike.

Një tjetër banore rrëfeu tmerrin e përjetuar. "Unë kam qenë në strehë me foshnjën time disa javore për më shumë se dy orë, ndërsa shtëpia ime po merrte flakë”. Banorët e tjerë kanë bërë thirrje për ndihmë në rrjetet sociale.

“Urgjentisht, ju lutemi ndihmoni. Duhet të shpëtojmë nipat e mi që janë fshehur. Nëna dhe babai i tyre kanë vdekur në Kfar Aza”, deklaroi një izraelit.  

“Nuk kam qenë kurrë kaq e frikësuar”

Në një vendbanim tjetër, një grua e quajtur Adele shkroi në Facebook: "Na është thënë të mbyllim dyert, të mos largohemi nga strehimoret. Ne nuk po e ndezim as kondicionerin, nga frika se mos duket se ka njerëz në shtëpi. Dëgjoj shumë të shtëna, edhe pse muret e trasha të dhomës më japin pak siguri. Më duhet të shkoj në tualet, por nuk guxoj. Nuk kam qenë kurrë kaq e frikësuar".

Në Kibbutz Nir Oz, në Izraelin jugor afër kufirit me Gazën, një banor i quajtur Yoni shkroi në Facebook: "Ata rrëmbyen vjehrrën time dhe u larguan me të. Më duhet urgjentisht të kontaktoj me ushtrinë dhe të kërkoj ndihmë në media".

Ofir, një banore i qytetit të Sufas, tha: "Ne jemi mbyllur në strehën tonë, ushtria nuk është këtu. Burri im është me ushtrinë duke luftuar jashtë. Ata po qëllojnë mbi ne në shtëpitë tona, duke u përpjekur të hyjnë në shtëpitë tona”.

Sulmi i paprecedentë nga Hamasi filloi herët në mëngjesin e së shtunës, pasi luftëtarët e grupit palestinez kanë qëlluar qytetet izraelite me raketa. Militantët pretenduan se kishin lëshuar mijëra raketa, me disa prej tyre që synonin qytete si Tel Aviv dhe Jerusalemi.

Gazetari anglez Gideon Levy, i cili ndodhet në Tel Aviv, shpjegoi situatën për BBC: "Rrugët janë krejtësisht bosh. Restorantet, kafenetë çdo gjë është e mbyllur dhe ka një ndjenjë të rëndë befasie, tronditjeje dhe frike. Këtu sapo është kaluar një ngjarje e tmerrshme”.

Izraeli nisi një valë sulmesh ajrore në Rripin e Gazës si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të mëhershme të Hamas. Sipas zyrtarëve lokalë, sulmet në Gaza kanë vrarë 161 palestinezë dhe kanë plagosur rreth 1 600 të tjerë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB