
Paris- Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, kanë propozuar një armëpushim për një muaj midis Rusisë dhe Ukrainës. Në një intervistë për gazetën franceze Le Figaro, Macron tha se një armëpushim i tillë fillimisht nuk do të mbulonte luftime tokësore, por do të ishte “në ajër dhe në det”.
Megjithatë, ai pranon se do të ishte shumë e vështirë të verifikohej nëse armëpushimi po respektohej në një vijë kaq të gjerë fronti. Lideri francez gjithashtu sugjeron se paqeruajtësit mund të vendosen në një moment të mëvonshëm, por shton se “nuk do të ketë trupa europiane në tokën ukrainase në javët e ardhshme.”
Ai gjithashtu sugjeron që vendet europiane duhet të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen në një nivel midis 3.0 dhe 3.5 përqind të PBB-së, për t’iu përgjigjur ndryshimit të prioriteteve të Uashingtonit dhe militarizimit të Rusisë./ZËRI